Kryeministri përmendi gjithashtu kontrollin financiar si një tjetër fushë ku progresi mbetet i kufizuar, ndërsa theksoi se sfida më e madhe lidhet me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit…
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një ndër përpjekjet më të rëndësishme historike për vendin, duke theksuar se ai nuk duhet parë në mënyrë sipërfaqësore, por si një proces thelbësor që transformon shtetin dhe forcon institucionet.
Gjatë një prezantimi të hapur për publikun, Rama u shpreh se u pa e arsyeshme që ky proces të shpjegohej më gjerësisht, për shkak të kompleksitetit të tij dhe mungesës së informacionit të plotë në opinionin publik.
“E pamë të arsyeshme që këtë prezantim ta bënim të hapur, se është e rëndësishme që opinioni publik ta ketë një ide për kompleksitetin e kësaj përpjekjeje të madhe kombëtare për të realizuar me sukses negociatat e anëtarësimit. Çka flitet në publik është shumë e reduktuar në gjëra ose shumë bazike, ose pa lidhje me këtë proces,” tha Rama.
Ai theksoi se procesi i integrimit ka një ngarkesë të madhe dhe kërkon angazhim të gjerë institucional, duke vlerësuar punën e skuadrës së negociatave dhe ministrave të përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces.
Sipas tij, përtej miratimit të reformave dhe masave në Bruksel, përfitimi më i madh i këtij procesi është rritja e kapaciteteve institucionale të vendit.
“Ajo që vlen më shumë se të gjitha është se ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Është një proces i pazëvendësueshëm që transformon shtetin dhe u jep institucioneve një fuqi dhe një kapacitet për të vepruar që nuk e kanë pasur kurrë më parë në historinë tonë,” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se kjo rritje e kapaciteteve sjell edhe forcim të rendit ligjor në të gjitha aspektet.
Në vijim, Rama bëri një panoramë të progresit dhe sfidave në kuadër të negociatave me BE-në, duke theksuar disa fusha kyçe që kërkojnë përmirësim.
Një ndër çështjet kryesore që ai ngriti ishte prokurimi publik, ku sipas tij është bërë progres, por ende nuk është arritur niveli i kërkuar.
“Është domosdoshmëri që të kalojmë nga drita e kuqe në atë jeshile në prokurimin publik. Kemi bërë një progres të madh, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë që nënkupton përmbushjen e plotë të këtij aspekti,” tha Rama.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të modernizimit të këtij sistemi, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për rritjen e transparencës dhe efikasitetit.
Kryeministri përmendi gjithashtu kontrollin financiar si një tjetër fushë ku progresi mbetet i kufizuar, ndërsa theksoi se sfida më e madhe lidhet me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Sfida e sfidave është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit në tërësi,” u shpreh ai.
Rama vendosi një objektiv të qartë kohor për përmbushjen e këtyre prioriteteve, duke theksuar se deri në vitin 2027 Shqipëria duhet të ketë arritur rezultate konkrete. “2027 duhet të na gjejë me objektiva të realizuara”, tha Kryeministri.
Një mesazh Kryeministri e kishte edhe për institucionet e drejtësisë, të cilave u kërkoi të rrisin standardet dhe profesionalizmin.
“Ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë, të cilat kanë kaluar në një fazë tjetër, pasi kanë pavarësinë që nuk e kanë pasur kurrë. Në procesin e konsolidimit duhet të rrisin profesionalizmin, paanshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve. Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit, jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë, por edhe në frontin e modernizimit, të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar që të zhvillohet në hapësira gri ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale”, tha Rama.
Lini një Përgjigje