Erion Braçe, deputet socialist prej disa mandatesh, së fundmi është vetëofruar si kandidat për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet vendore që do të mbahen në pranverën e 2027-ës.
Braçe u mandatua si deputet në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke fituar mandatin nga lista e hapur e PS-së, ndërsa rezultoi më i votuari.
Duket se zhvillimet e brendshme në PS, kanë bindur deputetin socialist, që tashmë konsiderohet një nga veteranët në sallën e Kuvendit, që të vetëofrohet si kandidat, dhe për këtë ai ka menduar që t’i paraprijë edhe çdo debati që mund të lindë në rradhët e socialistëve.
Përmes një shkrese drejtuar KQZ-së, Braçe ka kërkuar një informacion të detajuar lidhur me numrin e votave që ka marrë si deputet nga momenti që ka garuar për herë të parë dhe deri në zgjedhjet e fundit.

Por jo vetëm kaq, Braçe ka kërkuar informacione të sakta mbi rezultatet elektorale në zonat ku ai ka drejtuar fushatat, ose ka qenë i mandatuar si drejtues nga rradhët e socialistëve.
Kështu përmes shkresës drejtuar KQZ-së, Braçe kërkon më konkretisht: rezultatet si deputet që nga zgjedhja e tij e parë në qarkun Berat në vitin 1996, rezultatin e Partisë Socialiste në rang qarku për vitin 2009 në të gjitha ZAZ-të e Beratit, rezultatet elektorale në Divjakë për vitet 2013, 2017 dhe 2021, si dhe bilancin specifik të votave të marra prej tij si deputet në zgjedhjet e fundit të vitit 2021.

Të gjitha këto informacione duket se do të përbëjnë edhe strategjinë që Braçe do të përdorë në forumet drejtuese të PS-së, për të kërkuar kandidimin si Kryebashkiak, duke iu referuar sukseseve elektorale.

Ndoshta për faktin se tashmë shumica e anëtarëve të forumeve drejtuese në PS, por edhe në Grupin Parlamentar, janë të rinj dhe nuk kanë njohuri sa i takon kontributeve në këtë parti, Braçe ka menduar që të thjeshtojë punën, duke përmbledhur ‘suksesin’ elektoral në shifra, pavarësisht zonës elektorale që ka mbuluar.
Gjithsesi për nga mënyra se si Partia Socialiste po drejtohet dhe funksionon, vendimin përfundimtar nëse Braçe do të pranohet ose jo si kandidat për Kryebashkiak, do të vuloset nga Edi Rama. Dhe ky i fundit ka treguar se nuk vlerëson as kontributet dhe as rezultatet, aq më tepër ato elektorale, përsa kohë gjithë suksesin e socialistëve në zgjedhje e lidh me emrin e tij personal.
Lini një Përgjigje