TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Mars 2026, 09:41

Giorgia në udhëkryq: Qeveri e re apo zgjedhje të parakohshme?

Shkruar nga Anselmo Del Duka
Giorgia në udhëkryq: Qeveri e re apo zgjedhje të parakohshme?
Giorgia Meloni, Kryeministrja e Italisë /

Në shtëpinë e Melonit, mes darkave me aleatët dhe frikës nga një qeveri teknike, po ndërtohet fati i Italisë. A do të jetë “riorganizimi kirurgjikal” i mjaftueshëm për të shmangur zgjedhjet e parakohshme?

Të bësh një lëvizje të papritur apo të lejosh konsumimin gradual të pushtetit? Të tentosh një rifillim të fortë të qeverisë dhe të rezistosh edhe një vit, apo të shkosh drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare?

Kjo është dilema, pothuajse shekspiriane, me të cilën përballet kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e goditur rëndë nga humbja në referendum. Në aspektin e mbështetjes popullore, ajo ka përjetuar një “muaj mjalti” të pazakontë në historinë republikane, që zgjati 3 vjet e gjysmë.

Por ky cikël u mbyll me fitoren e “Jo”-së në referendum, një rezultat që kryeministrja e mohoi deri në momentet e fundit dhe kur e pranoi, ishte tashmë vonë. Tani rreziku qëndron te reagimi i nxituar, sidomos përballë sondazheve negative.

Pas disa lëvizjeve për të lehtësuar presionin (si largimi i disa figurave si Santanchè, Delmastro dhe Bartolozzi), Meloni ka zgjedhur të mos dalë publikisht, por të reflektojë. Të premten në mbrëmje, ajo priti në shtëpinë e saj për një darkë zëvendëskryeministrat Tajani dhe Salvini për të diskutuar hapat e ardhshëm, ndërsa dëgjoi edhe pakënaqësitë e aleatëve për dominimin e Fratelli D’italia (Vëllezërve Italiane).

Përballë saj dhe gjithë koalicionit qëndron zgjedhja: riorganizim kapilar i qeverisjes apo zgjedhje të reja parlamentare. Një marrëveshje për fundin e legjislaturës aktuale, mund të kalojë përmes një “riorganizimi kirurgjikal”.

Kjo mund të përfshijë ndërhyrje të kufizuara, me disa ndryshime dhe fytyra të reja,

por pa hapur një krizë formale qeveritare. Në lojë janë disa poste ministrore dhe nënsekretarësh, por edhe lëvizje të mundshme më të rëndësishme, si dhe hyrje figurash të reja me peshë.

Ndërkohë, alternativa është të shkohet shpejt në zgjedhje të reja, ndoshta që në gjysmën e dytë të qershorit, për ta kapur të papërgatitur opozitën e majtë, e cila ende po përpiqet të bashkohet më në fund në një front të përbashkët dhe të zgjidhë çështjen e lidershipit.

Megjithatë, kjo rrugë përballet me tre pengesa kryesore. E para është konteksti i vështirë ndërkombëtar, me luftëra në zhvillim dhe me një krizë ekonomike që po rëndon gjithnjë e më shumë.

E dyta është mungesa e një reforme të re zgjedhore, që mund të çojë në një rezultat pa një fitues të qartë.

Dhe e treta është roli i Presidencës së Republikës, pra reagimi i Sergio Mattarella-s në rastin e dorëheqjes së Melonit për të hapur rrugën e zgjedhjeve. Shumë analistë besojnë se një një skenar të tillë presidenti nuk do të shpërndajë menjëherë parlamentin, por do të nisë konsultimet për të verifikuar mundësinë e një shumice alternative.

Edhe në mungesë të Melonit, nuk përjashtohet mundësia e një qeverie “neutrale” apo “teknike”, siç është parë më parë në Itali. Një skenar i tillë do të shmangte zgjedhjet e menjëhershme dhe do të menaxhonte një fazë tranzitore.

A i leverdis Melonit që të rrezikojë humbjen e Palazzo Chigi-t për të shkuar në zgjedhje? Në parim, jo. Pushteti administrohet më mirë nga qeveria sesa nga opozita. Megjithatë, duhet pasur parasysh se muajt në vijim mund të imponojnë vendime ekonomike të vështira dhe jo popullore.

Fundi i Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (NRRP) po afrohet, dhe kjo ndërsa ai ka qenë deri tani një nga faktorët kryesorë që ka ndihmuar në shmangien e recesionit.

Kësaj i shtohen pasojat e konflikteve në zhvillim dhe masat e përkohshme, të cilat duket

se nuk arrijnë kurrë të jenë plotësisht të mjaftueshme. Ndërhyrja mbi akcizat u zbeh brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërsa dekreti fiskal i paraqitur së fundmi u rrëzua pa ngurrim nga Confindustria, mes kritikash të shumta edhe nga aktorë të tjerë.

Nga ky moment e tutje, edhe pse hyjmë në një terren që prek kufijtë e spekulimit politik, nuk është e vështirë të parashikohet se masa të ashpra dhe jopopullore do të kishin një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në konsensusin publik.

Nga ky këndvështrim, ndarja e përgjegjësisë për këto vendime me opozitën dhe nën ombrellën e një qeverie neutrale, do të përbënte pa dyshim një lehtësim politik. Partia Demokratike vështirë se mund të shmangte përfshirjen, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën me qeveritë Monti dhe Draghi, sidomos përballë një presioni të pritshëm nga Quirinale (presidenca).

Në këtë pikë, vendimmarrja i përket kampit të djathtë, por në mënyrë të veçantë vetë Melonit, më shumë sesa Salvinit apo Tajanit, duke qenë se lidershipi i saj mbetet i pakontestueshëm dhe aleatët nuk po japin shenja se janë të gatshëm të prishin paktin që mban të bashkuar qendrën e djathtë.

Për rrjedhojë, faktori vendimtar mbetet koha. Kryeministrja duhet të vendosë shpejt se cilën rrugë do të ndjekë. Stanjacioni, apo një lloj ngecjeje në vend, do të përbënte skenarin më të pafavorshëm të mundshëm për qendrën e djathtë./ Pamfleti nga “Linkiesta”

giorgia meloni qeveri e re zgjedhje të parakohshme

Lini një Përgjigje