Elisa Spiropali, Erion Braçe, Fatmir Xhafa dhe tensionet në Vlorë po vizatojnë hartën e një krize të madhe të brendshme, ku beteja nuk është më për karrige, por për kontrollin e partisë pas Ramës...
Mbledhja e fundit e grupit parlamentar socialist ka dalë në publik më shumë përmes zërave të drejtuar dhe të kontrolluar nga zyra e propagandës së Edi Ramës, përmes mediave pranë tij.
Kjo është një taktikë e njohur për të orientuar debatin publik sipas një skeme të përcaktuar, por edhe për të mbajtur iniciativën, në rast se rebelimi i Elisa Spiropalit në mbledhjen e grupit do të trajtohej ndryshe.
Megjithatë, përtej këtyre cic-miceve, fakti është se paqja në Partinë Socialiste është thyer publikisht dhe nuk kalon ditë pa pasur një sherr verbal, mimik, apo edhe përplasje në distancë, që prej largimit të Elisa Spiropalit nga qeveria e Edi Ramës.
Ky i fundit, në mbledhjen e grupit, është përplasur me “mamicën” e tij, ish-ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, sërish krijesë e tij për të bllokuar karrierat politike në PS, ndërkohë që Erion Braçe ka bërë publik një qëndrim të vetin në lidhje me Partinë.
Konkretisht, jemi në një fazë të re zhvillimi në mazhorancë, një fazë që ende nuk është plotësisht e qartë, pasi, si pasojë e sundimit autoritar të Edi Ramës, diskutimi dhe debati zhvillohen në mënyrë të frustruar dhe të sforcuar.
Megjithatë, debati ekziston dhe, në këtë moment, nuk jemi më në fazën e nxjerrjes së pakënaqësive, por, sipas të gjitha gjasave, në fillimin e larjes së hesapeve.
Të gjithë ata që nuk kanë më çfarë të humbin, pasi nuk kanë arritur ndonjë gjë në karrierën e tyre brenda Partisë Socialiste, duket se tani kanë mundësinë të tregojnë sa vlejnë. Përndryshe, do të përfundojnë si limonë të shtrydhur në koshat e mbeturinave historike.
Natyrisht, nuk është vetëm Elisa Spiropali, Ervin Hoxha apo Erion Braçe që kanë pakënaqësi dhe hatërmbetje me Edi Ramën. Dy të parët kanë hyrë në fazën e konfliktit, ndërsa Braçe, edhe pse gjithmonë konfliktual dhe kritik, falë reputacionit të tij në PS, është një figurë që Edi Rama nuk guxon ta sulmojë më fort.
Ka edhe të tjerë që kanë dhënë shenja kundërshtimi, madje edhe përmes akteve politike, si Fatmir Xhafa, i cili konsiderohet nga Rama si njeriu që ndikoi në bllokimin e Gjykatës Kushtetuese për padinë e kryeministrit.
Padyshim, këtyre u shtohet edhe numri i të larguarve, të zbuarve dhe të eliminuarve prej vitesh nga Partia Socialiste, duke nisur nga Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, grupi i Erion Veliajt, e deri te të frustruarit në grupin parlamentar, të cilët Edi Rama i frikëson duke u kujtuar SPAK-un dhe dosjet kundër tyre.
Deri tani, gjatë gjithë këtyre viteve, pakënaqësitë si pasojë e eliminimeve apo mënjanimeve të Edi Ramës janë orientuar duke u bashkuar në grupacione të ndryshme brenda partisë, duke sulmuar njerëzit që kreu i PS-së ka promovuar. Lëvizje që më pas Edi Rama i ka shkërmoqur, duke përçarë grupet dhe duke afruar pjesë të tyre.
Në këtë mënyrë, ai ka izoluar ata që i konsideronte si rrezik më potencial, apo emra që kishin mundësi të spikasnin për shkak të aftësive të tyre.
Mirëpo, aktualisht jemi në atë që italianët e quajnë “capolinea”, pra në stacionin e fundit, ku Partia Socialiste, si pasojë e konsumimit të gjatë të pushtetit, rrezikon ose të kthehet në një bunker tribal të Edi Ramës, siç po ndodh, ose të rrënohet plotësisht.
Erion Braçe, pas mbledhjes së grupit parlamentar, dha një ide se si e kupton ai këtë stacion të ri të socialistëve. “Sot me Asamblenë e PS-5 (Njësisë nr. 5) kemi bërë një mbledhje shumë të mirë, të qetë, duke folur për shqetësime qytetare dhe të vetë partisë në këtë njësi, sy më sy e me qëllim të qartë zgjidhjen e tyre; respekti për mundin e sakrificën e gjithkujt në këtë organizatë është jetik për të tashmen e të ardhmen; puna është thelbi ynë dhe për të folëm, secili dhe të gjithë bashkë, duke u përqendruar veçanërisht tani, se koha ikën e nuk kthehet, ndaj vlen shumë tani.
Forcimi i PS-së duke u hapur, pranuar dhe përfshirë të majtë që duan të zhvillojnë idetë e tyre bashkë me PS-në, ishte një tjetër qëllim i mirë për të cilin folëm e do të flasim edhe më tej! Karriget nuk janë kurrë qëllim, punët vlejnë!”, shkruan Erion Braçe në rrjetet sociale.
Një pamflet mjaft i qartë, ku deputeti, një nga më popullorët në PS, kërkon, madje thotë se ka nisur, afrimin në parti të “të majtëve të tjerë” që nuk janë brenda mazhorancës. Po kush janë këta? Padyshim, jo të ikurit nga LSI.
Këta nuk janë të preferuarit e Braçes dhe as Braçe nuk është i preferuari i tyre, sepse as ata nuk bëjnë marrëveshje me njerëz që nuk kanë pushtet. Pjesa më e madhe e tyre i është drejtuar Edi Ramës, prej nga kanë marrë poste mjaft të majme, duke ua hequr socialistëve.
Erion Braçe duket se e ka më shumë fjalën për të majtët e paangazhuar, apo edhe për të majtët radikalë të Arlind Qorit, për të cilin ka shprehur publikisht konsiderata pozitive në lidhje me kauzat që ai përfaqëson.
Por a do ta lejojë Edi Rama këtë fuzion që propozon Braçe? Dhe, më e rëndësishmja, a do të pranojë Arlind Qori, bashkë me të majtët e tjerë, të bashkohet me një grup që e konsiderojnë të korruptuar dhe liberist-oligarkik?
Sipas gjasave, Braçe flet për një të ardhme kur ky fuzion mund të ndodhë në periudhën post-Rama, e cila nuk duket aspak e largët, por përkundrazi mjaft e afërt.
Pra, logjika e Erion Braçes është kjo: jo grumbullimi i të gjithë atyre që kanë humbur karriget në PS-në post-Rama, por afrimi i të gjithë të majtëve që nuk kanë përfituar asgjë dhe që duan një parti ndryshe.
Kjo dëshirë apo ide përplaset hapur me interesat e grupeve në PS, të cilat nuk duan të mënjanohen, por të rigrupohen. Me një fjalë, deri tani janë krijuar dy linja: ata që kërkojnë ribashkimin e socialistëve që kanë kontribuar në fitore, por janë bërë kurban nga Edi Rama, dhe ata si Braçe, që kërkojnë një të majtë të re, që merr freski nga përrenjtë radikalë.
Me këtë lëvizje, Edi Ramës po i paraqiten dy opsione, të cilat në thelb përbëjnë edhe dy ide që paralajmërojnë formimin e dy partive të reja politike, të dala nga njerëz dhe struktura të PS-së.
Vetë kryeministri, siç dihet, ka planet e tij për Partinë Socialiste pas tij: një lider apo lidere të sjellë nga jashtë për ta katapultuar në krye, duke ruajtur superstrukturën dhe linjën e tij të pushtetit.
Kjo linjë është në konflikt, madje të ndezur, me klanet e tjera që sot sapo kanë hedhur hapat e parë të betejës. Elisa Spiropali nuk duket se është vetëm një individ. Ajo ka shumë gjasa të përfaqësojë linjën e grupit të “Zonës së Parë Operative”, që identifikohet me Gramoz Ruçin, i cili e ka humbur fuqinë e madhe në zonën e Vlorës dhe Fierit, duke mbetur në margjina.
Nuk ishte aspak e rastësishme përplasja e Spiropalit me ministren e re nga Vlora, Eriona Ismailaj, e cila nuk vjen nga klani i Ruçit, pasi është një katapultim i Ramës. Në Vlorë situata është kaotike, gjë që Edi Rama nuk mundi ta qetësojë as në inkursionin e para një jave, kur kërcënoi me largim ata që pengojnë punën e bashkisë dhe të PS-së.
Atje ka një rebelim të qartë, i cili vihet re edhe në dorëheqje e rikthime të njerëzve në poste të ndryshme. Kjo përplasje mund të çojë qartë në një skizmë brenda mazhorancës, ku tani po përjetojmë vetëm hapat e parë. Një “LSI” e re, që kërkon të bëhet faktor politik mbi një çështje të panegociueshme: largimin e Edi Ramës dhe mënjanimin e klanit të tij.
Siç ndodhi dikur me LSI-në, edhe kjo lëvizje do të kërkojë aleatë në rrugën e saj. Rama, siç po ndodh, synon ta mbysë këtë lëvizje që në embrion, me shkop dhe me karrotë. Po a do t’ia arrijë? Jo, nëse bashkohen të gjithë. Po, nëse, si deri tani, palët do të vazhdojnë të veprojnë si tufa të veçuara.
Megjithatë, siç ka thënë një i “madh” që nuk ndodhet më mes nesh: “Lufta tani sapo ka filluar”!/Pamfleti
Cilat klane mo ne PS? Kush ka bythe te ngrihet kunder padishahut? Ai i shtyp e perjashton me keq se Berisha. Rama shpreson te forcoje pak pozitat me Kushnere e mullinj me ere, pa te shikoni juve si i perze nga dritarja e jo dera Spiron e Palit, Erjonet e te tjere si keta. Kur margjinalizoi Nanon qe e solli peshqesh per kete vend qe nga Franca, te tjeret i ka milingona ky. Kur te kujtohen specialistet e PS, nuk e di ku do jete kjo parti.