
Pas incidentit të rëndë në KZAZ nr. 30 në Tiranë dhe tensioneve të krijuara në disa qendra numërimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë një vendim të ri, duke anuluar të gjitha akreditimet për vëzhguesit vendas në Vendin e Numërimit të Votave nga Jashtë (VNVJ), me përjashtim të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Sipas dokumentit zyrtar të firmosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, subjekteve zgjedhore do t’u lejohet vetëm një vëzhgues për çdo grup numërimi dhe një vëzhgues për çdo qark. Organizatat e shoqërisë civile, për të qenë pjesë e monitorimit, duhet të aplikojnë për akreditim deri më 16 maj 2025 në orën 12:00, ndërsa partitë politike kanë afat deri në orën 24:00 të së njëjtës ditë.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe është publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së, ndërsa mund të apelohet në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 ditëve. Kjo lëvizje e KQZ-së vjen si përpjekje për të shmangur tensionet e reja dhe për të garantuar mbarëvajtjen e numërimit në fazën finale të zgjedhjeve, veçanërisht në qendra si Tirana e Durrësi ku gara për mandate mbetet e hapur.
Vendimi
Në mbështetje të neneve 6, 7, 19, pika 1, shkronja “n”, dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe vendimit nr. 23 datë 1.2.2023, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit dhe vendet e numërimit të votave, në zgjedhje”,
VENDOS:
Anulimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve në Vendin e Numërimit të Votave nga Jashtë (VNVJ), me përjashtim të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Secili prej 11 subjekteve zgjedhore ka të drejtë të ketë vetëm një vëzhgues për çdo grup numërimi, si dhe një vëzhgues për çdo qark.
Organizatat e shoqërisë civile duhet të paraqesin kërkesën për akreditimin e vëzhguesve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëpërmjet Portalit të Vëzhguesve, jo më vonë se ora 12:00, datë 16 maj 2025.
Kërkesat për akreditimin e vëzhguesve nga partitë politike duhet të paraqiten pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve brenda ditës së sotme, jo më vonë se ora 24:00.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij.
Lini një Përgjigje