SPAK i dha përgjigje Edi Ramës, me ri-hetimin dosjes “Xibraka” të Olsit; Sali Berishën po e mbanë të izoluar; ndërsa Ilir Metës, me thirrjen e Baton Haxhiut për vilën e shitur fiktivisht në Golem, i bëri të qartë, se ai bashkë me Monikën, janë të pandehur për korrupsion, fshehje të pasurive, pastrim parash, lobime financiare mafioze e do shkojnë para gjykatës...
Vazhdon të thuhet, se pazari është ri-bërë vetëm mes Edi Ramës e Sali Berishës, por faktikisht, pjesë e pazarit është dhe Ilir Meta, futur mes të dyve gjatë 20 viteve, si ortak në pushtet e përfitues pushteti.
Përfshirjen në këtë pazar e vërteton fakti, që deputetët Petrit Vasili e Erisa Xhixho i ka futur në komisionet hetimore parlamentare bashkë me Foltoren, dhe voton çdo ligj të qeverisë e së bashku, nuk votojnë asnjë propozim të PD-së zyrtare.
Përveç aktrimit, sikur gjoja po sulmon qeverinë për çështjen e pensionit të nënë Selvijes, dhe zbaton skemat e Edi Ramës me sulme kundër të vetëve; “akrobati” Ilir Meta, jo vetëm nuk tha asnjë fjalë kundër amnistisë që liroi nga burgu zyrtarët hajdutë e trafikantët, por e votoi bashkë me PS-në e Foltoren.
Partia e Lirisë me 3 deputetë nuk ka asnjë peshë, përveçse merr 150 milionë lekë fonde nga shteti në vit si parti parlamentare; por ai është pjesë e pazareve, sepse nuk mund lihet mënjanë nga Sali Berisha e Edi Rama, me cilët ka vjedhur e kanë shkatërruar vendin.
Të tre, janë në llogore me sulmet kundër SPAK-ut: Sali Berisha me kërcënime nga ballkoni, Edi Rama me intimidime e platforma në mbledhjet e PS-së dhe mos pranim të hetuesve të BKH në zyrat e pushtetit, ndërsa Ilir Meta me fyerje në media e nëpër mejhane.
Pas një periudhe tërbimi me sulme kundër Altin Dumanit, Ilir Meta heshti, ngaqë e kuptoi, se SPAK nuk u tërhoq në vijimin e procedurave penale ndaj tij e bashkëshortes Monika Kryemadhi, ndërsa ditën e premte, ai ri-filloi sulmet ndaj SPAK-ut, por çuditërisht shumë i qetë.
Nuk është trim e as e ka mposhtur SPAK-un, por stresin e prangave, ia ka hequr pazari Rama-Berisha, për gjoja reformë të re në drejtësinë e re; që realisht është skenar për të vënë SPAK-un nën kontrollin e tyre, duke ri-kthyer modelin “Llalla-Gjin Gjoni” të para vitit 2019.
Aq në qetësi ka rënë Ilir Meta nga skenari për asfiksimin e SPAK-ut, sa filloi të bëjë ironi, duke thënë se vetë është i pastër; nuk ka dijeni çfarë ka bërë Monika dhe se përgjegjësia është personale, tamam siç thotë Edi Rama për Olsin.
Por kjo qetësi e siguri paprekshmërie e Ilir Metës, është si “fija e barit” për një person që po mbytet; sepse Edi Rama e Sali Berisha nuk kanë fuqi të marrin peng SPAK-un, këtë strukturë drejtësie që e ka krijuar SHBA dhe e ka përfshirë me paketë të veçantë në Kushtetutën e Shqipërisë, me statusin e pavarësisë dhe nga parlamenti.
Këtë dëshmoi fakti, që 1 ditë pas propozimit të Edi Ramës në mbledhjen me deputetë e ministra, SPAK i dha sinjalin e pavarësisë, duke i bërë publik vendimin për ri-hapjen e dosjes “Xibraka”, prej të cilës, ish-drejtësia e vjetër hoqi emrin e Olsi Ramës, sepse atëherë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte celulë e partisë në pushtet.
Ndërsa Ilir Metës, me thirrjen e Baton Haxhiut për vilën e shitur fiktivisht në Golem; SPAK i mbështetur nga FBI, i bëri të qartë Ilir Metës, se ai bashkë me Monikën, janë të pandehur për korrupsion, fshehje të pasurive, pastrim parash, lobime mafioze e do gjykohen./Pamfleti
Lini një Përgjigje