
“Shqiptarët paguajnë 820 milionë euro në vit nga xhepi për kujdesin shëndetësor, më shumë se kushdo tjetër në botë! Ne do vendosim listën e rimbursimit si në Itali”, u shpreh Sali Berisha, kreu i PD-së dhe koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’, gjatë takimit me banorë të Tiranës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Duke shpjeguar programin e PD dhe partive aleate, Berisha tha se minimumi jetik do të jetë 200 euro në muaj, ose 6.3 euro në ditë.
“57 përqind e pensionistëve, më së paku, të cilët nuk kanë pensione të plota, sot të gjithë shqiptarët në ndihmë ekonomike, të gjithë studentët, të gjithë jetimët, marrin nën minimumin jetik.
Atëherë ne dërguam një ligj në parlament.
E refuzoi në mënyrë kategorike dhe pasi nuk e votoi, deklaroi se kjo do na çonte në katastrofë.
Mashtrim i jashtëzakonshëm”, tha Berisha.
Në vijim, Berisha duke marrë shembullin e Kosovës, ngriti pyetjen “pse nuk shkon në katastrofë Albin Kurti, që para 3 muajsh me një buxhet sa gjysma e këtij që kemi ne, me pensionistë gjysma e këtyre që kemi ne, mori 100 milionë euro, i çoi në fondin e pensioneve dhe tha se pensionet do rriten 20 përqind. Çfarë katastrofe pësoi ai?”
Duke u ndalur te pagat, Berisha u shpreh se “nuk do ketë rrogë në Shqipëri nën 500 euro. E ka çdo vend dhe u garantoj se pas rrogës minimale, do kalohet në ditën me pagën minimale. E ka çdo vend dhe ne në këtë rrugë do ecim”.
“Nafta, që pasqyrohet në çdo çmim, do zbresë në çmimin që shitet në Kosovë dhe Maqedoni, 40 përqind më lirë/
Energjia elektrike do zbresë në 7 lekë për familjarët.
Tarifat e ujit do përgjysmohen.
Pra, do ketë një frymëmarrje më të madhe ekonomike për njerëzit”, tha ai.
Në vijim, kreu demokrat u ndal te ilaçet, ndërsa nuk ka kursyer batutat në drejtim të Tom Doshit dhe Vilma Nushit.
“Do ketë një përgjigje shumë të mirë. Ne do marrim listën e Italisë sepse janë mijëra e mijëra shqiptarë që u kërkojnë fëmijëve të tyre, njerëzve të tyre për t’u çuar ilaçet për mjekim. Jo, listën që ka Italia për rimbursim do e ketë edhe Shqipëria.
Po, nuk them se do kemi kuzhinën italiane, nuk them se do kemi mirëqenien italiane, po do barazohemi 100 përqind në listën e ilaçeve sepse jetë kemi ne, jetë kanë edhe ata.
Prandaj dyllosen Toma me Vilma Nushin dhe në Shqipëri që nuk shitet asnjë ilaç që nuk tregtohet në dy vende të BE.
Pra, në këtë mënyrë ne bëhemi më të drejtë.
Shoqëria bëhet me moral”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje