Ish-kryeministri, Sali Berisha ditën e sotme prej orës 9:40 ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Një muaj pasi Gjykata e Posaçme vendosi masën e arrestit në shtëpi, sot është hera e parë që ish-kryeministri Sali Berisha paraqitet në SPAK.
Berisha po merret në pyetje nga prokurorët në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani".
Në amblentet e SPAK, Berisha ndodhet përballë dy prokurorëve, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët kanë ndjekur këtë dosje që prej nisjes së hetimeve dhe deri në prezantimin e kërkesës në Kuvend për heqjen e imunitetit të Berishës.
Prej 30 dhjetorit, ish kryeministri po qëndron në shtëpi me masë arresti shtëpie, nga ku iu ka drejtuar mesazh mbështetësve të tij, të cilët janë mbledhur çdo mbrëmje poshtë dritares.
Ky i fundit prej më shumë se një muaji ka lëshuar akuza të forta për dy prokurorët.
“Arben Kraja ish xhelat i Sigurimit ka dënuar një të ri në Shkodër se nuk pranonte moralin komunist. Ky hetues thoshte “ka shkelur normat e moralit komunist”. Kraja qëndron në Prokurori në kundërshtim flagrant me ligjin aktual për Prokurorinë dhe nenin 6 të Kushtetutës. Se cili është integriteti i tij për të qenë rrogëtar, është kjo dëshmi, që këtë akt nuk e ka kryer në vitin 70, por një vit pas rrëzimit të murit të Berlinit dhe rënies zinxhir të diktaturave komuniste”, deklaroi Berisha për Arben Krajën.
Ndërsa për prokuroren Millonai, ai tha se “famozja Enkeleda Millonai, kriminele që për mbrojtjen e vëllait të saj biologjik apo lidhjet obskure që ka me Taulant Ballën, i mohon në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të njeriut, qytetarit, të drejtën e një procesi gjyqësor kundër Ballës, duke i konfiskuar si një bandite, dosjen e padisë së tij”.
Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 Dhjetorit 2023. Ai nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues.
Ish kryeministri akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi që është nën hetim për pastrim parash./ Pamfleti
Lini një Përgjigje