
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë Agron Gjekmarkaj, i cili humbi ndjenjat gjatë protestës të zhvilluar nga opozita ditën e djeshme, ka reaguar pas daljes nga spitali.
Ai ka dhënë detaje nga ngjarja, ku ka theksuar se një grup i madh policësh e shtynë brutalisht duke i thyer edhe pasqyrën e makinës.
Gjekmarkaj tha se ngjarja nuk ndodhi nga problemet shëndetësore, por si pasojë e veprimeve të policisë.
“Nuk do të kisha reaguar për sa ndodhi dje me mua në proteste nëse policia e shtetit nuk do me fyente së dyti me deklaratën e vetë publike e dezinformuese!
Nuk e pëlqej as e kërkoj viktimizimin! Madje kurrë në jetën time nuk kam kërkuar as nxitur ballafaqime fizike! Nuk kam sulmuar asnjëherë askënd! Dje thjesht jam mbrojtur. I gjendur para një makine të vogël bashkë me shoqëruesin tim, punonjës i Gardës, i cili u keqtrajtua gjithashtu, ndonëse u tregoi edhe dokumentin identifikues, u rrethova nga një grup i madh policesh! Ju thashë mos më prekni, jam Agron Gjekmarkaj, Nën Kryetari i Kuvendit të Republikës , deputet, pedagog universiteti, me butësi gati me humor, nuk shquhem për force fizike, nuk bëj palestër, ndaj bëni kujdes! Me shtynë brutalisht, me shume forcë, thyen edhe pasqyrën e veturës duke me ngritur gati në ajër mua! Më tërhoqi shoqëruesi me shumë mundim dhe një djalë nga Lezha përmes policëve teksa ndjeja frymëmarrjen që po më ngadalësohej! Sapo dola nga turma e policeve duke më tërhequr të tjerët humba ndjenjat! Nuk u ndjeva keq se kisha probleme me shëndetin por si pasoje e veprimeve të policisë! Nuk u largova nga protesta se desha të largohem, por më detyruan, nuk u largova për të shkuar në kafe apo shtëpi por në spital!
Me ka mbetur në kujtesë egërsia në shikim e dy tre oficerëve të policisë, zelli i tyre si dikur motit kur arrestoheshin deputet e opozitës në 1946, u dukej e padrejte që dikush guxon të protestojë kundër pushtetit të tyre se ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune! Gjithsesi ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik!
Përfitoj nga ky rast i trishtë të falenderoj të gjithë ata që mu gjinden pranë, protestuesit , demokratët e qytetarët e Lezhës, drejtuesit dhe deputetet e PD, mjeket e spitalit ushtarak dhe ata të QSUT për ekzaminimet dhe shërbimin, falenderoj qindra miq e të njohur nga vendi e bota për atë lumë mesazhesh që kam marrë prej tyre ende në pamundësi për tu kthyer përgjigje individualisht!
Shpreh keqardhje të thellë për të gjithë të lënduarit e të ndaluarit të cilët përpiqen për një Shqipëri më të mirë që nuk e morën vëmendjen që mora unë! Ne nuk kemi frikë!
Sot jemi në vigjilje të Krishtlindjeve ! Qofshin ato të bardha për u dhe të gjithë shqiptaret! Të tjerat do të jenë më të mira!”, u shpreh Gjekmarkaj.
Lini një Përgjigje