
Një ndjenjë e tillë u krijua edhe në 2016-ën, kur Trump fitoi mandatin e parë, por ndryshimi i pritshëm politik, sipas PD-së, në Shqipëri në 2017 nuk ndodhi. Madje ishte viti kur PD u përballë ndoshta me presionin më të madh deri në atë kohë nga DASH që drejtohej nga Tillerson, i emëruari i Presidentit amerikan.
Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit ka një rritje të entuziazmit të demokratëve të Sali Berishës në Tiranë lidhur me ndryshimin e politikave në raportet SHBA-PD.
Administrata Biden e shpalli Berishën ‘non grata’ vetëm 3 javë pas zgjedhjeve parlamentare të 2021, vendim ky që çoi jo vetëm në sanksionimin e ish-Kryeministrit por futi në një përplasje të fortë Partinë Demokratike, e cila shkoi drejt një çarjeje të madhe mes dy kampeve, atyre që mbështesnin Berishën dhe të tjerëve që ishin pro Lulzim Bashës.
Tashmë pas fitores së Trump ka një pritshmëri nga disa prej funksionarëve të PD-së se administrata e re do të revokojë masën sanksionuese, duke nxjerrë Berishën nga lista e ‘zezë e SHBA’.
Dhe përtej pritshmërive që kanë në rastin e Berishës, të tjerë shkojnë edhe pak më shumë, duke e lidhur ardhjen e Trump në pushtet me ndryshimet politike në Shqipëri, përfshirë edhe rotacionin në zgjedhjet e 11 majit.
Një ndjenjë e tillë u krijua edhe në 2016-ën, kur Trump fitoi mandatin e parë, por ndryshimi i pritshëm politik, sipas PD-së, në Shqipëri në 2017 nuk ndodhi. Madje ishte viti kur PD u përballë ndoshta me presionin më të madh deri në atë kohë nga DASH që drejtohej nga Tillerson, i emëruari i Presidentit amerikan.
Nëse i referohemi historisë, ky entuziazëm i shfaqur tani, është i ngjashëm me atë të 24 viteve më parë, saktësisht me 2001-in, kohë kur në Shqipëri mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Në 2000 në SHBA fitoi zgjedhjet George W. Bush, i cili hyri në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar të 2001, thuajse 5 muaj para se në Shqipëri të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Në Itali fitoi Berluskoni me partinë e tij Forza Italia. Dhe optimistët e asaj kohe nisën të parashikonin edhe fitoren e ‘B” së tretë, që ishte Sali Berisha që drejtonte Partinë Demokratike.
Në fakt në zgjedhjet që u mbajtën në qershor 2001, PS e drejtuar nga Fatos Nano fitoi 84 mandate, por problemi që i doli ishte fakti se 13 të tilla u prodhuan në Dushk të Lushnjes. Kjo ishte arsyeja që në atë kohë pati një angazhim ndërkombëtar për të mos njohur këtë rezultat, por askush nuk vuri në dyshim në atë kohë 71 mandatet, pra që PS të kishte të drejtën e bërjes së Qeverisë.
Zhvillimet e mëpasshme çuan në atë marrëveshjen e famshme të 2002-it mes Berishës dhe Nanos, ku u vendos që Presidenti, kreu i KLSH, Prokurori i Përgjithshëm, kreu i SHISH, kreu i ILDKP, Avokati i Popullit të zgjidheshin me konsensusin e palëve. Nga marrëveshja e asaj kohe, Berisha në emër të PD-së propozoi nga Presidenti e deri te Prokurori i Përgjithshëm, ndërsa Kryetari i KLSH ishte ekskluzivitet i opozitës.
Pra me pak fjalë pati një ndarje pushteti në tavolinë, ku ato që konsideroheshin institucione të pavarura kushtetuese ose propozoheshin nga opozita, ose zgjidheshin me konsensusin, duke shpërfillur në këto raste shumicën absolute që kishte PS dhe aleatët e saj në atë kohë në sallën e Kuvendit. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje