TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Qershor 2024, 15:19

Gjykata britanike e la sërish ‘non grata’, Basha i përgjigjet Berishës: Pretendime imagjinare, po përdor PD për interesa personale!

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata britanike e la sërish ‘non grata’, Basha i

Lulzim Basha i ka quajtur imagjinare akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha deklaroi se ky vendim i Britanisë, faktoi se vendimi i Apelit për vulën ishte çështje pazari mes Ramës dhe Berishës.

Më tej Basha akuzoi Berishën se luftoi aq fortë për të rrëmbyer vulën e PD-së, për t’i përdorur mës pas demokratët si mburojë, për të mbrojtur veten dhe familjen e tij.  Sipas ish-kreut të PD-së, Berisha dhe Rama janë në një pakt të fshehtë për të ruajtur këto balanca pushteti që kemi sot.

Postimi i plotë i Bashës:

Në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe.

Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij.

Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në. Rruga pa krye ku ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë.

Pengimi i ndryshimit, pengimi i Reformës Zgjedhore, sulmet ndaj SPAK, amnistimi i të korruptuarve, pazari për vulën, janë prova të qarta të bashkëpunimit Rama-Berisha, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi, i cili sot i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij.

Qeveria më e korruptuar në Europë meriton të ketë përballë alternativën që u ofron shqiptarëve ndryshim. Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund. Shqiptarët meritojnë më shumë!

Lini një Përgjigje