
Luan Hoxha dhe Anjola Agolli nuk gjenden, dëshmia e gjeneralit që dorëzoi SPAK nuk implikon askënd...
Gjyqi kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për shpërthimin në Gërdec duket se po shkon drejt fundit. Mediu ja arriti ta zvarrisë për afro një vit, teksa vijon të shijojë lirinë dhe pagën 3 mln lekë në muaj të deputetit. Por a do të dënohet Fatmir Mediu për atë tragjedi, apo GJKKO do e nxjerrë të larë ish-ministrin?
Sot pati disa zhvillime në seancën gjyqësore, të cilat ngrenë dyshime se mos po tentohet që kjo çështje të mbyllet në mënyrën më të turpshme. Dëshmitari kyç i kësaj tragjedie nuk gjendet. E kemi fjalën për Luan Hoxhën. Gjenerali është ai që në ambasadën amerikane fajësoi dy njerëz për tragjedinë, Shkëlzen Berishën dhe Fatmir Mediun. Mirëpo ai u tentua të bëhej kurban dhe iku në SHBA, ku dhe mori azil. SPAK e futi në listën e dëshmitarëve, por sot në gjykatë prokurorët thanë se nuk e gjejnë dot. “Ne nuk po gjejmë dot Agollin që është në Shqipëri jo më Luan Hoxhën në SHBA”, ishte përgjigjja e prokurorit.
Për të justifikuar mungesën e dëshmisë së tij, SPAK dorëzoi në gjykatë një dëshmi që Luan Hoxha ka dhënë më datë 17.02.2009 si person i pandehur. Në media u shpërnda dëshmia që ai ka dhënë në ambasadën e SHBA, por në fakt si provë nuk është ajo. Në ambasadë Luan Hoxha ka folur në vitin 2008, ndërsa në prokurori një vit më pas. Në dëshminë e marrë si provë, ai nuk ka akuzuar njeri. Ai ka mohuar akuzat ndaj tij. Akuzat ndaj Shkëlzenit dhe Mediut ai më pas i mohoi. Me pak fjalë, dëshmia që dorëzoi SPAK nuk e implikon Mediun, po ashtu dhe Shkëlzenin.
Po ashtu as Anjola Agolli, ish Sekretarja e Aldo Bumçit, nuk gjendet. Sipas prokurorisë, është ajo e cila ka dërguar fax-in me mbishkrimin “Për Shkëlzen Berishën” drejt Ministrisë se Mbrojtjes.
Sipas komunikimeve që policia ka pasur me familjarët e Agollit, ata thanë kjo e fundit nuk ndodhej në Shqipëri. Por, nga një verifikim i bërë nga prokurorët e posaçëm në sistemin TIMS, rezultoi se Anjola Agolli ndodhet në Shqipëri.
Prokuroria kërkoi që të ndiqet e njëjta metodë dhe me të, ku do administrohen dëshmitë e vjetra. Edhe në dëshmitë e saj, ajo ka ndryshuar qëndrime disa herë dhe nuk dihet se sa mund të bindin gjykatën për të dënuar Mediun apo dhe të japë indicie për të shkuar te Shkëlzeni. GJKKO do jetë në test me këtë dosje dhe mbetet të shihet nëse Mediu do dalë i larë, apo do kemi një dënim sa për sy e faqe. /Pamfleti
Lini një Përgjigje