Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës ka kallëzuar në SPAK kandidatin për deputet të Sali Berishës në qarkun e Durrësit, ish-prokurorin Arian Ndoja. Në kallëzimin e paraqitur, Koalicioni Euroatlantik kërkon nisjen e hetimeve ndaj Ndojës për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Në kallëzimin e depozituar në SPAK, sipas Koalicionit Euroatlantik, Ndoja dyshohet se ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për të mos votuar subjekte të tjera politike, si edhe sipas tyre ka pohuar publikisht lidhje me individë të botës së krimit, me qëllim intimidimin e zgjedhësve dhe ndikimin në votë.
“Zgjedhjet e 11 majit duhet të zhvillohen në mënyrë të lirë, të ndershme dhe larg ndikimit të grupeve të strukturuara kriminale apo formave të blerjes së votës”, thuhet në kallëzimin zyrtar.
Sipas kallëzuesve, këto dyshime bien ndesh me objektivat e Strategjisë së Hetimit për Krimin Zgjedhor të miratuar nga vetë SPAK, e cila përfshin hetimin aktiv të rasteve të presionit, kanosjes apo përfshirjes së elementëve kriminalë në procesin elektoral.
Koalicioni Euroatlantik i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të regjistrojë menjëherë kallëzimin penal, të kryejë hetimet e nevojshme dhe të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor përmes veprimit të shpejtë dhe të vendosur.
Lini një Përgjigje