Erion Veliaj ka dalë sot, 31 tetor, nga qelia e paraburgimit në Durrës, ku ndodhet prej muajit shkurt, për të marrë pjesë personalisht në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka nisur në orën 10:00.
Ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese po mbahet seanca për shqyrtimin e shkarkimit të Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës dhe për shqyrtimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet në këtë Bashki.
“Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta“,e nisi fjalën e tij sot, 31 tetor, Erion Veliaj në këtë seancë publike.
Veliaj para gjyqtarëve tha se është rrëmbyer nga zyra ku u zgjodh nga 165 mijë qytetarë si të ishte në vrasës serial.
“Kjo është e drejta ime për të qenë këtu. Faleminderit që më dhatë këtë të drejtë. Kam pritur 9 muaj për këtë të drejtë. Me kanë izoluar në një qeli me vrasës serialë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë me shkelje të të drejtave. Ky është një përçmim ndaj votës. Ky është një përçmimi që populli i jep republikës për ta drejtuar në emër të tij. Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës me të drejtën që ma kanë dhënë 165 mijë qytetarë. Nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për të kërkuar mbrojtjen e demokracisë që sot po vihet në sprovë. Jemi betuar që ta mbrojmë demokracinë. Ky nuk është mandati im, por një kontratë besëlidhje dhe do bëj gjithçka që ma lejon ligji për ta mbrojtur këtë kontratë. Askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri. Me respekt, pyes çfarë shkelje të rëndë kam kryer unë?, tha Veliaj në Gjykatë.
Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn më 25 shtator me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, por dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Vijon....
Lini një Përgjigje