
Luan Baçi konfirmon se PD do të dërgojë emrat në komisionin e drejtuar nga Fatmir Xhafaj...
Sali Berisha dhe Edi Rama do të bëhen bashkë kundër SPAK dhe reformës në drejtësi. Ajo që u paralajmërua nga “non grata” pak ditë më parë, duket se është e vërtetë.
Lajmi u konfirmua nga deputeti demokrat Luan Baçi. Ai ishte në një emision këtë mbrëmje dhe konfirmoi se PD ka vendosur të dërgojë emrat e saj në komisionin e famshëm antikorrupsion, i njohur shkurt si komisioni “Xhafaj”. Po ashtu pritet që të dërgohen emrat dhe te komisioni antishpifje i Braçes.
"Kur ngrihen komisione në Parlament dhe kur janë të mbështetura nga ndërkombëtarët ne nuk mund t'i bojkotojmë dhe të lëmë PS të bëjë si pas qejfit. Opozita për këtë punë është, nëse i bie me këtë logjikë po në Kuvend pse të shkojmë ne! Nuk është një marrëveshje, por detyrë që ne kemi për ta bërë si deputetë në Parlament. Ne shkojmë dhe në komisione të përhershme parlamentare. Ne nuk kemi shumicë votash, por në marrim pjesë. Do të marrim pjesë në komision. Ne ishim ata që kemi kërkuar që ky komision çfarë atributesh do të ketë, çfarë do të reformojë. Pasi është diskutuar në struktura dhe me specialistë mund të ketë një vendimmarrje për të marrë pjesë në komision, për të mos lënë mazhorancën që të bëjë çfarë të dojë", tha Baçi.
Ishte Berisha që një javë më parë i dërgoi sinjal bashkëpunimi Ramës. Sipas tij, ka ardhur koha për komisionin e së vërtetës dhe menjëherë u kuptua skema e bashkimit PD-PS kundër reformës.
“Krijimi i komisionit të së vërtetës është rruga e vetme për të bërë radiografi, në mënyrë që Dumanër, Gjoka, gjykatës, prokurorë kriminelë të mos mund t’i fshehin qytetarëve shqiptarë krime të shëmtuara të deputetëve të tyre, ministrave të tyre, kryeministrit të tyre. Vetëm krijimi i një komisioni të së vërtetës që do të jetë pjesë integrale e programit të PD do mund të ndajë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë nga bota e krimit shtetëror-qeveritar të sotëm”, tha Berisha.
Komisioni “Xhafaj” kërkon të vërë nën tutelën e tij gjithë institucionet kushtetuese dhe sidomos SPAK. Ka zëra se po synohen ndërhyrje në ligj që rrudhin kompetencat e prokurorisë. Një ndër planet është që të hiqet “shpërdorim i detyrës” prej saj. Po ashtu mundtë shkrihen KLSH dhe ILDKP dhe të vihen në kontroll gjithë institucionet e pavarura.
Objekti i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion
Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim:
1) Përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet
2) Thellimin e luftës kundër korrupsionit
3) Forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.
Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij që përmes një procesi publik, gjithëpërfshirës e transparent, mbështetur në mekanizmat, rregullat dhe procedurat përkatëse parlamentare dhe me angazhimin e kontributin aktiv të ekspertizës më të mirë vendase dhe ndërkombëtare të realizojë:
i) Një vlerësim / analizë të situatës aktuale në të tre fushat, duke u mbështetur kryesisht në gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në raportet e Bashkimit Evropian, përmes një angazhimi gjithëpërfshirës me institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, agjencitë ekzekutive e ato publike të pavarura, institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, subjekte të tjera të interesuara, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë opinionin publik;
ii) Hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. /Pamfleti
Lini një Përgjigje