
Ka nisur sërish me tensione seanca e fundit plenare. Opozita është rebeluar me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla e cila nuk pranoi ndryshimin e rendit të ditës.
Kryeparlemantarja Lindita Nikolla hodhi në votim ndryshimin për rendin e ditës.
Sipas Nikollës, rendi i ditës u ndryshua me 69 vota pro, gjë që u kundërshtua nga deputetët e opozitës duke thënë se nuk kishte kuorum.
Në fjalën e tij, kreu i grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi kërkoi që Garda e Republikës të largohet nga salla e Parlamentit.
Sipas Bardhit, s’ka arsye të shoqërohen deputetët e opozitës në foltoren e Kuvendit.
Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha kërkoi praninë e kryeministrit Rama në seancë për t'iu përgjigjur pyetjeve të opozitës për çështjen e Inceneratorëve.
"Sot mbyllet Parlamenti për faqe të zezë për shkak të tij. Sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numrit 2 të qeverisjes, kurse ju ngriheni kundër Kushtetutës, doni të rrëzoni këtë të drejtë me vota këtu dhe ai nuk paraqitet në Kuvend. Kush do flasë këtu për zv/Kryeministrin? Do flisni ju? Jo ju nuk keni tagër. Të vijë këtu në Parlament.", tha Berisha.
Parlamenti sot po zhvillon seancën e fundit plenare ku në rendin e ditës janë parashikuar për diskutim dhe votim disa projektligje.
Ndër më të rëndësishmet janë projektligji për studentët e Mjekësisë dhe kanabisi për qëllime mjekësore.
Ndërkohë sipas projektligjit të propozuar nga mazhoranca, studentët e Mjekësisë pas përfundimit të studimeve do të duhet të punojnë në vend për 5 vite në mënyrë që të marrin diplomën. Sipas qeverisë, kjo bëhet për të frenuar largimin nga Shqipëria të mjekëve të rinj. Një pjesë e studentëve e kundërshtojnë këtë nismë.
Edhe opozita e kundërshton si projektligjin për Mjekësinë, ashtu dhe atë për kanabisin mjekësor.
Një ditë më parë, Sali Berisha paralajmëroi se do të kërkojnë në Parlament që të zhvillojnë interpelancë me Kryeministrin për inceneratorët.
Konferenca e Kryetarëve që u mblodh dy ditë më parë i rrëzoi kërkesat e opozitës për interpelancë urgjente dhe mocion me debat me Kryeministrin për inceneratorët.

Lini një Përgjigje