
Verifikimi i komunikimeve, do bëhet sepse sipas dosjes “Metamorfoza”, ka prokurorë e zyrtarë të SPAK që kanë komunikuar me telefona “Sky ECC” me subjekte kriminale e në hetim; por dhe për faktin se janë zvarritur e janë pushuar shumë kallëzime e hetime, për zyrtarë të lartë, biznesmenë dhe eksponentë të fuqishëm të botës së krimit të lidhur me pushtetin...
Me një lëvizje të befasishme, ekipi i ekspertëve të FBI i atashuar në Byronë Kombëtare të Hetimit, ka krijuar ankth te prokurorët dhe zyrtarët e SPAK, mbasi këta do përballen, me verifikimin e betimit që kanë bërë kur kanë nisur detyrën.
Në informacionin që ka marrë “Pamfleti”, thuhet se në zbatim të rolit drejtues e mbikëqyrës, FBI duke vepruar sipas ligjit për prokurorinë e Posaçme në Aneksin e Kushtetutës së Shqipërisë, do zbardhë komunikimet telefonike e elektronike, që kanë bërë prokurorët dhe zyrtarët e SPAK.
Po kështu, do zbardhen dhe komunikimet telefonike e elektronike të familjarëve të tyre; sepse kështu e përcakton kushti ligjor për zyrtarët e SPAK dhe formularë-kontratat e dakordësisë, që ata kanë nënshkruar kur janë emëruar.
Ekipi i FBI që është atashuar në BKH, do përdorë praktikën e verifikimit që përdorë FBI në SHBA; fillimisht duke u kërkuar prokurorëve e zyrtarëve të SPAK, të deklarojnë nëse ata dhe familjarët e tyre, kanë adresa e-mail, rrjetesh sociale e numra telefoni të tjerë, përveç atyre që kanë deklaruar në formularët kur kanë nisur punë në janar 2020.
Po kështu, do t’u kërkohet të deklarojnë, nëse ata dhe familjarët e tyre, kanë përdorur telefona “Sky- ECC” gjatë periudhës së 4 viteve e gjysmë që janë në detyrë, për faktin, se sipas dosjes “Metamorfoza”, ka dhe prokurorë e zyrtarë të SPAK, që kanë komunikuar me telefona të tillë për pazare me hetimet e paralajmërime arrestimesh.
FBI do ta bëjë verifikimin e tabulateve telefonikë dhe komunikimeve elektronike, të zyrtarëve të SPAK e familjarëve të tyre; nisur prej faktit që nuk kanë filluar, janë zvarritur e janë pushuar shumë kallëzime e hetime, për zyrtarë të lartë, biznesmenë e eksponentë të fuqishëm të botës së krimit të lidhur me pushtetin e koncesionet.
Por dhe prej faktit, se prej 4 vitesh e gjysmë, ish-drejtuesi Arben Kraja e drejtuesi aktual Altin Dumani, nuk kanë zbatuar aneksin e Kushtetutës, për mbajtjen në mbikëqyrje të telefonave të prokurorëve e zyrtarëve të SPAK dhe familjarëve të tyre, duke mos vënë në përdorim pajisjen që ka sjellë FBI, por dhe sepse janë dekonspiruar hetime e aksione arrestimesh.
Mbikëqyrja e telefonave, adresave të e-mail e rrjeteve sociale të tyre, përcaktohet si detyrim në nenin 48 të Ligjit Nr. 95, datë 6 tetor 2016; por ish-drejtuesi Arben Kraja, nuk e futi në përdorim pajisjen mbikëqyrëse, ndërsa Altin Dumani e filloi, por 1 muaj pas nisjes së detyrës e ndërpreu.
Mos zbatimi i ligjit dhe indiciet, se disa prokurorë e zyrtarë të SPAK, komunikojnë me individë subjekte hetimi, ka detyruar ekipin e FBI-së, të verifikojë komunikimet, madje dhe të imponojnë vendosjen në punë të pajisjes së mbikëqyrjes e vetë-deklarimin çdo 6 muaj të tyre./Pamfleti
Lini një Përgjigje