Referuar debateve që shkaktoi ftesa e Trump në politikën shqiptare, duket se Rama ka vendosur të fusë në lojë Kuvendin, jo thjesht për të miratuar faturën apo procedurat, por ndoshta për të ‘peshkuar’ qëndrimin e opozitës. Kjo e fundit shfaqet e frustuar kur flitet për administratën Trump…
Kryeministri Edi Rama përmes një letre drejtuar Presidentit Donald Trump konfirmon pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Bordin e Paqes” për Gazën. Gjithashtu Rama i bën të ditur Presidentit Trump se procedurën do ia kalojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë, duke kujtuar kështu procedurat kushtetuese.
“Bordi i Paqes synon të jetë një instrument konkret dhe efektiv i udhëheqjes globale, jo thjesht një forum deklarativ, duke vënë theksin te nevoja për veprim të shpejtë, përgjegjësi të qartë dhe angazhim në nivelin më të lartë për ndërtimin e paqes”, thekson Rama në letrën e tij.
Angazhimi në Bordin e Paqes ka një faturë financiare. Sipas mediave ndërkombëtare, një projekt-draft i dërguar në rreth 60 vende nga administrata amerikane u bën thirrje anëtarëve të kontribuojnë 1 miliard dollarë në para të gatshme, nëse duan që anëtarësimi i tyre të zgjasë më shumë se tre vjet, sipas dokumentit të parë nga Reuters.
“Çdo shtet anëtar do të shërbejë për një mandat jo më të gjatë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me mundësi rinovimi nga Kryetari”, thuhet në dokumentin, e raportuar për herë të parë nga Bloomberg News.
Pra me pak fjalë, Shqipëria, për të qenë një nga vendet anëtare të Bordit, duhet të paguajë faturën 1 miliard dollar, vendim ky që referuar rrugës së zgjedhur nga Edi Rama, do t’I duhet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Dhe referuar debateve që shkaktoi ftesa e Trump në politikën shqiptare, duket se Rama ka vendosur të fusë në lojë Kuvendin, jo thjesht për të miratuar faturën apo procedurat, por ndoshta për të ‘peshkuar’ qëndrimin e opozitës. Kjo e fundit duket e frustuar kur flitet për administratën Trump.
Sali Berisha në zgjedhjet e fundit përdori kartën Trump në një përpjekje për të fituar zgjedhjet, sikundër me ndryshimin e administratës në SHBA, nga demokratët te republikanët, opozita në Shqipëri rriti pritshmëritë në dy aspekte: heqjen e non grata-s për Sali Berishën dhe familjen e tij, si dhe ndëshkimin e Edi Ramës si “mik i George Soros”, i cili konsiderohet ndër “armiqtë” e Presidentit Trump.
Ndoshta për këto qëndrime të opozitës, Rama ka zgjedhur që të kalojë procedurën dhe faturën në Kuvend, duke e vendosur PD e Berishës në një pozicion të vështirë: ose të pranojë dhe miratojë ‘Ftesën’ bashkë me faturën, ose të dalë kundër.
Nëse del kundër, kjo nuk pengon pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, pasi Edi Rama i ka votat në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve të tilla, thjesht do i japë një armë në dorë, Kryeministrit dhe mazhorancës, për të treguar me gisht se kush është kundër Amerikës, aq më tepër një administrate si ajo e Trump.
Por nëse e miraton ose pranon në heshtje, veçanërisht koston e faturës, opozita do e ketë të vështirë të flasë nesër për “vendin e qytetarëve më të varfër të Europës”, përsa kohë 1 miliardë dollar do të paguhen për të pasur një vend në Bordin e Paqes.
E gjithë kjo lojë, për të cilën Edi Rama vendosi të përfshijë edhe Kuvendin, zhvillohet në një kohë kur shumë nga liderët europianë, kanë kundërshtuar pikërisht pagesën 1 miliard dollar. i pari ishte Macron që e kundërshtoi, më pas kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ndërsa Toni Blair, ish-Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, është distancuar nga kërkesa e presidentit që vendet të paguajnë 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm.
Blair ka refuzuar të mbështesë kërkesën për këto fonde, e cila bazohet në një projekt-kartut për organizatën e re.
Ky qëndrim shihet si një sinjal tjetër se detajet e “Bordit të Paqes” po shkaktojnë kundërshtim midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA-së ndaj projektit të Trump.
Nëse Trump do i qëndrojë deri në fund idesë se anëtarët duhet të paguajnë 1 mld dollar, ndoshta shumë nga vendet që kanë nxituar të thonë “po” mund të tërhiqen. Por referuar mënyrës se si Trump operon, nuk është çudi që shtetet anëtare të hyjnë në negociata, qoftë për koston e faturës, ashtu edhe për mënyrën e pagesës.
Plani për zhvendosjen e palestinezëve asnjëherë nuk është hedhur poshtë dhe ndoshta në këmbim të 1 mld dollarëve, mund të gjehen shtete që mund të pranojnë akomodimin e mijera palestinezëve, qoftë edhe përkohësisht derisa Gaza të rindërtohet. /Pamfleti/
Por midis disa qëndrimeve, Opozita kryesore bën atë më lehtën. Bllokon foltoren dhe bën zhurmuesin. Por Kryeministri kalon mes zhurmës vendimin. Po 1 miliardëshi? Tokë në ishullin e Sazani-t, në Zvërnec, Portin e Durrësit. Konvertim direkt.Parat të fondit sovran të Arabisë Saudite, të Emirateve të Bashkuara Arabe për Portin e Durrësit, në këmbim të një vëndi në 'Bordin e Paqes'. Marrëveshja klasifikohet si 'Sekret Shtetëror' deklasifikohet si pas 99 vjetësh. A do ta hajë këtë kokërr ulliri Donald Tramp? Unë nuk e besoj.