Deputetë të opozitës po kundërshtojnë gjatë mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, një vendim nga Sekretariati i Etikës, që përjashton deputetët e PD-së nga seancat plenare dhe veprimtaria e komisioneve, për shkak të tensioneve të krijuara në sallën e Kuvendit, në një prej seancave të fundit të sesionit të kaluar parlamentar.
Mbledhja e Byrosë po zhvillohet pa praninë e mediave, ndërsa opozita kërkoi që ajo të ishte e hapur.
Deputeti Klevis Balliu një prej ligjvënësve të përjashtuar, ka kërkuar sqarime sepse është vendosur përjashtimi i tij.
“Thuhet se ne kemi rrezikuar jetën e deputetëve. Kush e ka hartuar këtë vendim le të vijë këtu dhe të na sqarojë si ua rrezikuam jetën kolegëve tanë deputetë”, iu drejtua Balliu, anëtarëve socialistë në Byronë e Kuvendit.
Në vijim ai u shpreh se vendimi për përjashtimin e deputetëve të opozitës nga veprimtaria parlamentare bazohet vetëm në urdhërin politik të Edi Ramës.
“Kemi denoncuar çdo aferë, kërkoni të na mbyllni gojën?”, u shpreh Balliu.
Deputetja Albana Vokshi u shpreh se me një vendim të tillë synohet që t'i pezullohet mandati ligjvënësve të opozitës.
"Keni marrë një urdhër nga Edi Rama që të na përjashtoni ne të opozitës. Juve do ju kishte zili edhe Enver Hoxha me vendimet që merrni", tha Vokshi. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për një masë disiplinore, por për pezullim mandati.
"Mblidheni me urgjencë për të përjashtuar opozitën, nuk e keni të përcaktuar as në Rregullore", tha ajo.
Më 23 dhjetor 2025, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin me 30 ditë pune nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare për sjellje jo etike, për 6 deputetë të PD-së. Gjashtë deputetët e përjashtuar me 30 ditë janë: Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Elda Hoti.
Ndërkohë, për 23 deputetë të tjerë, nuk u vendos përjashtim nga seancat plenare, por tërheqje vëmendje për sjelljen e tyre në Kuvend.
Lini një Përgjigje