Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend.
Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokat Ngjela është ndalur tek zërat se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të vizitojë Tiranën më 16 Shkurt, duke u shprehur se ajo është një gjë e mirë dhe që tregon se SHBA e konsideron Shqipërinë aleate strategjike.
“E shoh si një vizitë të rëndësishme. Të shohim po ka mundësi që do jap ndonjë lajm të mirë sepse ka probleme ndërkombëtare dhe kam përshtypje që Shqipërinë duan që ta vendosin në një pozicion më të favorshëm”, deklaroi ai.
Puna e SPAK
Më tej avokat Ngjela është ndalur edhe tek puna e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të cilën e ka vlerësuar. “Nga ana e SPAK po. Prokuroria e Posaçme është në nivel të lartë, ata e kanë ndërtuar vet SPAK. Gjykata tjetër ende është me probleme, por do ec hap pas hapi. Fakti që Prokuroria Speciale (SPAK) është në nivel të mirë do të detyrojë edhe gjykatat e tjera që të arrijnë në këtë nivel”, u shpreh Ngjela.
Po ashtu Ngjela theksoi se pret akoma më shumë që drejtësia të godasë paligjshmëritë në vend, duke qenë se sistemi është në reformim e sipër.
“Ende jo, sepse vetëm korrupsionin dhe krimin e organizuar ka SPAK të tjerat i ka pushteti gjyqësor i zakonshëm. Ai akoma nuk është në rangun e duhur sepse nuk ka mbaruar reforma atje, është në vijim”, tha ai.
Situata e Berishës
Ndërkohë avokat i njohur, Spartak Ngjela komentuar edhe sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj Prokurorisë Speciale (SPAK).
“Është i akuzuar të shkoj të marr pafajësinë. Ai duhet që të na thotë ka ose prova kundër tij. Berisha flet kot, sepse Blinken tha që SPAK e drejtojmë ne”, theksoi avokati.
Nga ana tjetër, zoti Ngjela foli edhe dosjen e “21 Janarit” dhe protestën e thirrur nga Berisha më 20 shkurt të këtij muaji.
“Të shohim si do vijoj procedura. Duke i qëndruar edhe vendimit të gjykatës së Strasburgut mendoj se do kaloj. Nuk kanë filluar proceset ashtu si duhet, kur të fillojnë proceset. Ndërkohë mendoj se protesta është demokraci. Çdo individë, grup individësh, parti ka të drejtë të bëjë protestë, le ta bëjnë. Por ata nuk kanë njerëz, nuk kanë mbështetje. Saliu nuk lëviz dot sepse ai është i arrestuar, por të shohim se çfarë do bëjë grupi i tij”, shtoi ai.
Sakaq, avokati Ngjela paralajmëroi edhe rikthimin në politikë.
“Kam përshtypjen që në zgjedhjet e ardhshme do të paraqitem, por që skema nuk ka mbaruar akoma”, nënvizoi avokat Spartak Ngjela.
Kujtojmë se edhe në një studio televizive avokati Spartak Ngjela deklaroi se është në negociata me deputetin e PD-së, Lulzim Basha për t’u rikthyer në politikë. Ai shtoi se është duke punuar mbi një skemë që mund të konkretizohet në muajt e ardhshëm.
“Kam një skemë, të shohim jam në bisedime. Dy gjëra janë sekret, lëvizjet politike dhe lëvizjet e policisë sekrete. Do shikojmë eksperimentin, kur të hidhet ideja nëse do përkrahen ose jo. Kam bërë një bisedim paraprak para dy muajsh me Bashën. Të shikojmë si do ecë. Ka filluar procesi, por të shohim si do vijojë. Duhet të bashkohet PD-ja”, tregoi Ngjela./ SOT
Lini një Përgjigje