
Ish-kryeministri, Sali Berisha ka mbajtur mbrëmjen e sotme fjalimin e radhës nga dritarja e banesës, ku ndër të tjera u ndal te abuzimi me tenderët e rrugëve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se në 10 vitet e fundit janë shpenzuar 9 miliardë euro për rrugët dhe sipas tij janë vjedhur 90 për qind e tyre.
Më tej ish kryeminstir i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen kundër regjimit të Ramës, teksa i ftoi të gjithë që t’i bashkohen protestës së 20 shkurtit.
“Miqtë e mi, në rrugët e Shqipërisë gjatë këtyre 10 viteve janë shpenzuar 9 miliardë euro, janë vjedhur 90 përqind të tyre. Janë ndërtuar rrugë 10, 15 herë më shtrenjtë se në çdo vend tjetër të Europës.
Ndaj dhe thirrja juaj, o sot o kurrë, të marrim në dorë fatin tonë, është për çdo shqiptar. Për çdo shqiptar që kërkon të votojë i lirë.
Për çdo shqiptar që kërkon që taksat e tij t’i kthehen në mirësi, në rroga, pensione, shërbime, rrugë. Për çdo shqiptar që kërkon që me votën e tij të ndryshojë qeverinë që nuk do.
Miqtë e mi, të mos harrojmë se kurrë nuk duhet të presim nga njeri që do të vijë nga jashtë dhe të na garantojë të drejtën e votës. Kurrë nuk duhet të presim nga një njeri se do vijë nga jashtë të kapë për zverku qeveritarët tanë hajdutë.
Jemi ne që kemi detyrë mbi detyrat tona t’i japim duart njëherë e përgjithmonë këtij regjimi. Thirrja juaj o sot o kurrë u drejtohet mbarë të rinjve shqiptarë, të cilët të injoruar në mënyrë armiqësore nga regjimi, të cilët me qëllim bëhet gjithçka që të largohen nga Shqipëria.
Kjo thirrje është për secilin prej tyre, të bashkohet me ne për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e fitores, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e begatisë”, tha Berisha ndër të tjera.
Lini një Përgjigje