Nuk ka favore ndaj Berishës, seancat plenare sërish do t'i ndjekë nga televizori...
Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Sali Berishës, që të lejohet të marrë pjesë në seancat parlamentare.
Sali Berisha është në masë sigurie “arrest në shtëpi” pasi akuzohet për korrupsion me privatizimin e pronave të ish-kompleksit “Partizani”. Por ish-kryeministri pretendon se ka të drejtë të ushtrojë funksionin e tij si deputet. Për këtë arsye ai përmes avokatëve ju drejtua Gjykatës duke i kërkuar që të lejohet të marrë pjesë në seancat parlamentare që mbahen kryesisht të enjteve. Kjo ishte kërkesa e dytë e bërë prej tyre.
Në 1 shkurt gjyqtarja Irena Gjoka e shty seancën sepse kërkesa ishte firmosur nga vajza e Berishës. Gjyqtarja kërkoi që të firmoset nga vetë i akuzuari. Sot u mbajt seanca dhe gjyqtarja ka vendosur që ai të rrijë në izolim duke mos dalë nga banesa.
Pas mbarimit të seancës në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, avokati i tij, Genc Gjokutaj, tha se pa ndryshuar porosia e Ramës nuk ndryshon vendimi i Gjykatës.
“Ata vazhduan në të tyren, ne do të vazhdojmë betejën tonë. Edhe praktikat e Strasburgut dhe të gjitha argumentet që ne bëmë, gjykata nuk arriti të konkludonte. Pa ndryshuar porosia e Ramës, nuk ndryshon vendimi i kësaj gjykate”, tha Gjokutaj.
Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.
Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje