
Shtyrja e votimit të paktit me Italinë për emigrantët ka bërë bujë në mediat e huaja. “Reuters” i ka kushtuar një artikull vendimit të kuvendit sot...
Votimi në Parlamentin e Shqipërisë për ratifikimin e një marrëveshjeje të kontestuar për emigrantët me Italinë u shty të enjten. Ligjvënësit kanë vendosur të presin dokumentet nga Gjykata Kushtetuese, e cila javën e kaluar i dha dritën jeshile planit.
Marrëveshja, e cila parashikon që Italia të ndërtojë qendra të përpunimit të emigrantëve në territorin shqiptar, është kritikuar nga opozita dhe grupet e të drejtave të njeriut.
Parlamenti i Shqipërisë pritej të ratifikonte marrëveshjen të enjten, por një zëdhënëse e Parlamentit tha se votimi ishte shtyrë derisa të zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas marrëveshjes së shpallur në nëntor, Italia do të ngrejë dy kampe përtej detit Adriatik në Shqipëri, shtet që nuk është anëtar i BE-së.
Në njërin kamp do të kontrollohen emigrantët në momentin e mbërritjes dhe një i dytë do të përdoret për strehimin e tyre derisa të shqyrtohen kërkesat për azil. Më pas, migrantët ose do të lejohen të hyjnë në Itali ose do të riatdhesohen.
Kundërshtarët e paktit kanë argumentuar se ai shkel Kushtetutën, duke i dhënë sovranitetin territorial një vendi tjetër, një pretendim që gjykata e hodhi poshtë.
Projekti është i ngjashëm me planin e qeverisë britanike për të dërguar azilkërkues në Ruandë, i cili është kundërshtuar nga Gjykata e Lartë e Britanisë. Brukseli ka thënë se planet italiane nuk shkelin ligjin e Bashkimit Evropian. /Reuters
Lini një Përgjigje