
Zyrtari i DASH, Gabriel Escobar ka fundosur Sali Berishën. Ky i fundit po mundohet të tregojë se PD drejtohet prej tij, por për amerikanët kjo nuk vlen.
Në një intervistë për Grida Dumën, ai e bëri të qartë se “non grata” nuk ka për t'u hequr. Po ashtu ai e cilësoi Berishën si një të shkuar dhe ju bëri thirrje shqiptarëve të shohin nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara.
“Para së gjithash, pozicioni ynë për këtë individ është shumë i qartë. Nuk njoh asnjë person që të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e DASH sipas legjislacionit tonë, duke fituar zgjedhjet. Thënë kjo, mendoj se Shqipëria ka të ardhme të jashtëzakonshme dhe të përqendrohet tek e ardhmja. Ka shumë njerëz që duan të tërhiqen tek e shkuar. Nuk është ky një vend që Shipëria duhet të shkojë. Ai është e shkuara”, tha Escobar.
Më tej, zyrtari i DASH deklaroi se do të ketë dhe persona të tjerë “non grata”, por preferoi të mos fliste më gjatë. Sipas Escobar, lufta ndaj korrupsionit është prioriteti kryesor për Uashingtonin.
“Shiko, kjo ka tre pjesë. Dua të them, para së gjithash, ne nuk i shfaqim paraprakisht veprimet tona për sanksionet, ndaj në fakt nuk mund të flas për këtë. Gjëja e dytë është se ne jemi shumë të përkushtuar për të përdorur çdo mjet që kemi, përfshirë sanksionet, për të luftuar korrupsionin në botë. Dhe në këtë pjesë të botës, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, korrupsioni është e vetmja çështje që përshkon të gjitha vendet e rajonit. Por së treti, e dini, marrëdhënia jonë me Shqipërinë nuk ka të bëjë me sanksionet. Marrëdhënia jonë është një partneritet i pjekur midis dy partnerëve të barabartë në një aleancë dhe në një partneritet strategjik dypalësh. Pra, a i ngelet në fakt Shteteve të Bashkuara të bëjë këto përcaktime? I takon institucioneve të Shqipërisë të hetojnë korrupsionin dhe ta ndjekin penalisht kudo munden. Dhe kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi është kaq e rëndësishme, sepse nuk na takon ne ta bëjmë këtë punë në emër të popullit shqiptar. Ata kanë aftësinë ta bëjnë vetë. Dhe këto qeveri dhe çdo qeveri, qoftë kjo apo pasardhësja e saj, ka një detyrim ndaj njerëzve që të sigurojë që kjo të ndodhë”, tha ai.
Lini një Përgjigje