TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Dhjetor 2024, 13:00

Erdhi, pa, foli dhe iku pa bërë asgjë; rikthimi i Berishës në Kuvend nuk la asnjë shenjë!

Shkruar nga Pamfleti

Erdhi, pa, foli dhe iku pa bërë asgjë; rikthimi i Berishës

Në ato 40 minuta qëndrim në sallën e Kuvendit, jo vetëm demokratët, por edhe vetë Berisha kuptoi se “arresti i shtëpisë” nuk ishte edhe aq i keq për të, fundja.

11 muaj akuza, thirrje për kaos e mosbindje civile nga dritarja e banesës ku mbahej në “arrest shtëpie”, kulmuan me lirimi e Sali Berishës dhe rikthimin e tij në Kuvend. Por historia e rikthimit të shumëpritur, të liderit “revolucionar” të opozitës në sallën e Kuvendit, pas më shumë se një viti, mund të përshkruhet fare mirë me shprehjen; “shumë zhurmë për asgjë”.

Edhe pse rikthimi i Berishës në Kuvend pritej të sillte një përballje të fortë gjatë seancës për miratimin e buxhetit të vitit 2025, siç kishte premtuar vetë kreu i opozitës, asgjë nuk ndodhi.

Mesa duket Berisha ka nxjerrë mësime nga burgu. Gjithçka bëri sot nuk ndryshonte shumë me ato fjalimet e bëra nga dritarja.

Ai akuzoi mazhorancën se donin ta zhduknin dhe burgosnin, foli për fitoren e Trump në Amerikë dhe më pas bëri paralelizëm mes historisë së presidentit të zgjedhur të SHBA dhe situatës së tij.

Në fund, sërish asgjë.

Ajo që u vu re në sallën e Kuvendit ishte se prezenca e Berishës qetësoi deputetë e mosbindjes civile që tymosnin kuvendin dhe digjnin karriget. Në një farë mënyre, ata konfirmuan se e gjithë rrëmuja në Kuvend edhe jashtë tij, ishte bërë për hallet e Berishës, paçaka se ata e kanë mohuar vazhdimisht.

Pas 11 muajsh akuza se po e pengonin të bëjë punën për të cilën populli e ka votuar, Berisha nuk qëndroi më shumë se 40 minuta në sallën e Kuvendit, aq më tepër në një ditë të rëndësishme ku miratohet buxheti i vitit të ardhshëm. I gjithë pompoziteti i rikthimit të tij u shfry si flluskë sapuni, Kuvendi vijoi njëlloj sikur Berisha të ishte ende në arrest. 

Në ato 40 minuta qëndrim në sallën e Kuvendit, jo vetëm demokratët, por edhe vetë Berisha kuptoi se “arresti i shtëpisë” nuk ishte edhe aq i keq për të, fundja./Pamfleti

 

Lini një Përgjigje