Zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Evropian, pse është në lojë e ardhmja e BE-së...
Në datat 6-9 qershor në Evropë do të zhvillohen zgjedhjet më të mëdha. Ato do të përfshijnë më shumë se 400 milionë votues në 27 shtete. Pak janë më komplekse se ato në këtë fushë. Në zgjedhjet e një vendi të vetëm, zakonisht votuesit e përcaktojnë mbështetjen e tyre bazuar tek disa çështje kyçe, ku ekonomia është zakonisht prioriteti kryesor.
Por zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë të ngjashme me 27 palë zgjedhjet në vendet e tjera, që përfshijnë 24 gjuhë zyrtare, të bashkuara në një të vetme. Ajo që ka rëndësi për votuesit në Finlandë, mund të mos jetë aq vendimtare për qytetarët në Portugali.
Për pjesën më të madhe të ekzistencës së BE-së, rreth 700 anëtarë të Parlamentit Evropian kanë pasur kompetenca çuditërisht të kufizuara. Gradualisht, ai ka nisur të ketë më shumë ndikim, gjë që do të thotë se këto zgjedhje kanë evoluar në një garë më të rëndësishme.
Cili nga palët do të mbizotërojë? Partia Popullore Evropiane, një grupim deputetësh të qendrës së djathtë, duket se do të mbetet blloku më i madh në parlament, me rreth 22 për qind të votave sipas sondazheve të fundit. Sipas të gjitha gjasave, socialistët do të vazhdojnë të jenë grupimi i dytë më i madh, teksa sondazhet i japin 18 për qind.
Partitë e ekstremit të djathtë mund të ecin më mirë se sa në zgjedhjet e mëparshme, ndërsa të Gjelbrit dhe e majta mund të rezultojnë të jenë humbëset më të mëdha. Kjo do të forconte tendencën e dekadës së fundit, me partitë anti-establishment që po përparojnë në kurriz të forcave politike të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë.
Gjatë viteve 1990, parti të tilla anti-establishment morën rreth 12 për qind të votave. Deri në vitin 2021, shifra u rrit në 32 për qind. Shumica e tyre ishin në ekstremin e djathtë. E djathta ekstreme është ose në qeveri ose mbështet qeverinë në Finlandë, Hungari, Itali, Sllovaki dhe Suedi.
Ndërsa Partia për Liri e Geert Wilders, siguroi numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet holandeze të vitit të kaluar. Shumë analistë do të shohin nga afër se si do të dalë në zgjedhje ekstremi i djathtë në Francë, teksa zgjedhjet presidenciale janë parashikuar për në vitin 2027.
Marine Le Pen duket se do të jetë një nga sfidantët kryesore për presidencën franceze pas mbarimit të 2 mandateve të Emmanuel Macron. Dështimi i dukshëm i Brexit - largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE - nënkupton se ka gati zero oreks për t’u larguar nga bashkimi.
Në vend të kësaj, e djathta radikale ka zgjedhur që të përpiqet ta uzurpojë atë. Një nga përfaqësuesit e saj, kryeministri hungarez Viktor Orban, ishte shumë i qartë në një intervistë dhënë dhjetorin e vitit kaluar: “Plani ynë nuk është të largohemi nga BE, por ta vendosim atë nën kontrollin tonë”.
Kontigjenti anti-BE është i orientuar drejt ndryshimit revolucionar nga brenda, i fokusuar në rikthimin e konsiderueshëm të pushteteve dhe kompetencave nga Brukseli tek shtetet kombëtare. Ata po lobojnë për krijimin e një aleancë të shteteve kombëtare, në të cilat ligjet kombëtare dominojnë mbi ato të BE-së.
Politikanët e së djathtës radikale, nuk bien dakord me politikën e stilit të konsensusit të pjesës më të madhe të BE-së, ndaj veprojnë si përçarës dhe jo si lehtësues të politikave të reja. Pas zgjedhjeve të qershorit, do të zgjidhen drejtuesit e rinj të posteve kryesore në BE.
Ursula von der Leyen do të shpresojë të marrë një mandat të dytë 5-vjeçar si kryetare e Komisionit Evropian. Një mandat i dytë nuk është i garantuar, por në mungesë të një rivali serioz ajo është favoritja. Megjithatë, entuziazmi është i madh.
Ajo nuk ia ka dalë në shumë prej premtimeve që ka në fillim. Proceset nuk janë shpejtuar as në praninë e saj. Që të vazhdojë duhet të ketë mbështetjen e parlamentit, por së pari liderët e 27 shteteve të BE-së duhet të arrijnë një konsensus mbi emrin e saj.
Shumica do ta mbështesin atë, edhe pse disa e urrejnë qëndrimin e saj pro-Benjamin Netanyahu dhe kundër Palestinës. Presidenti francez Macron mban një qëndrim të ftohtë ndaj saj kohët e fundit. Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz, edhe pse nga një parti tjetër, ndoshta do ta mbështesë bashkatdhetaren e tij.
Kandidati kryesor për presidencën e Këshillit Evropian, duket se është ish-kryeministri portugez Antonio Costa. Megjithatë, ka shumë spekulime se letra shumë dramatike me 4 faqe e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez drejtuar popullit spanjoll javën e kaluar, në të cilën ai tregoi se mund të largohej, është një sinjal se ai mund të joshet ta marrë këtë post.
Sanchez ka fituar admirues në Bruksel, por kjo nuk është një garanci. Kjo pasi disa nga pozicionet e tij janë përçarëse. Këtu hyn edhe mbështetja e tij e fort për njohjen e Palestinës si shtet, gjë që e vendos atë në kampin e kundërt me Ursula Von der Leyen. Por Sanchez këmbënguli të hënën se nuk do të jepte dorëheqjen si kryeministër i Spanjës.
Sa i përket rolit kryesor diplomatik të BE-së që mbahet aktualisht nga një tjetër spanjoll, Josep Borrell, ky mund të jetë gjithashtu i disponueshëm pasi partia e tij nuk ka gjasa që të dalë mirë në zgjedhjet e qershorit. Ndaj disa besojnë se ai mund të pasohet në këtë detyrë nga kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas.
Megjithatë, jo të gjithë në kampin e djathtë duket se po ecin mirë. Marrim rastin e Matteo Salvini-t, dikur figura më popullore e ekstremit të djathtë italian. Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Itali në vitin 2019, partia e tij Lega arriti një rezultat mbresëlënës: 34 për qind të votave.
Tani, ajo nuk merr me shumë se 8.5 për qind në sondazhe. Po cilat do të jenë çështjet përcaktuese të këtyre zgjedhjeve? Emigracioni ka qenë problem prej kohësh. Dhe zhvendosja e vazhdueshme djathtas e elektoratit, vetëm sa do të forcojë qëndrimet kundër emigrantëve.
Ndërkohë, paraqitja e dobët e të Gjelbërve në sondazhe, nënkupton se ka një rënie të mbështetjes për zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Mbrojtja është një tjetër çështje kyçe, teksa agresionin rus ndaj Ukrainës e shton frikën rreth ambicieve të Moskës. Jo të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian janë të bindura se mund të përballojnë shpenzime të reja të mëdha në këtë fushë. Ndërsa të tjerat, kryesisht në pjesën lindore, besojnë me pasion se nuk kanë luksin të mos e bëjnë këtë.
BE-ja përballet sot me sfida të mëdha, shumica e të cilave nuk ka arritur që t’i trajtojë për shkak të përçarjes dhe mungesës së udhëheqjes. Macron ishte shumë i zymtë në fjalimin që mbajti së fundmi në Universitetin e Sorbonës në Paris, kur ai deklaroi në mënyrë dramatike: “Epoka e bazimit të prodhimit tonë tek Kina, e delegimit të mbrojtjes sonë në SHBA dhe e blerjes së energjisë tonë nga Rusia ka përfunduar. Rregullat e lojës kanë ndryshuar”.
Pjesa më e madhe e këtij konstatimi është e saktë. Macron kënaqet duke luajtur rolin e vizionarit për unionit, një tip lideri që është sa besimtar aq edhe pasionant. Fjalimi i tij nuk do të ishte mbajtur kurrë nga Scholz apo paraardhësja e tij Angela Merkel, të cilët kanë një qasje shumë më pragmatike ndaj BE-së. Rreziqet mbi të ardhmen e Evropës janë shumë të larta. Macron ishte i ashpër, por ndoshta i saktë: “Evropa është e vdekshme, dhe mund të vdesë. Gjithçka varet vetëm nga zgjedhjet tona”./Përshtati Pamfleti nga “Eurasia Riview”
Lini një Përgjigje