TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Prill 2023, 10:38

Edi Rama tani edhe prezantues në radio; kryeministër do na lësh gjë ne fukarenjve?

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama tani edhe prezantues në radio; kryeministër do na lësh

Me bujë të madhe e rokopujë mësova sot se kryeministri Edi Rama, në vend të autobuzit të dikurshëm me dajre, kësaj radhe ka vendosur të bëjë një podcast (për gjeneratën e vjetër është: emision në radio) për këtë fushatë që nuk po i ‘vjen era fushatë’.

Gjene, kjo qeveri dhe kjo Rilindje kështu janë: spektakël dhe fjalën e mirë, se për bukë e ujë duhet të mendojë vetë populli.

Gjithsesi, në lajme thuhej se kryeministri do ftonte edhe kundërshtarët nëse pranojnë, në emisionin e tij. E, duke qenë se emri ‘shet’, nuk është çudi të marrë edhe reklama për emisionin. Edi do t’i mbushë mendjen miletit që është njeri i mirë, që ne jemi mësuar tanimë me të dhe që çdo ndryshim vjen për keq, sepse ai është ‘magjistar i fjalës’.

Kija inatin e jepi hakun: sa për fjalë është ‘nona’, ky ‘baba’ që nuk po do të na shqitet prej vitesh tashmë. Po ta analizosh si prezantues radioje, nuk ka të sharë për disa kompononentë:

Ka zë të mirë, diksion, artikulim dhe mbi të gjitha, ka aq fantazi, sa t’ia mbushë mendjen edhe vetes që jeta këtu është ‘fushë me lule. Duke qenë se administratën e siguroi me super rroga, e duke qenë se bizneseve u ka dhënë ultimatum të ngrenë rrogat e punëtorëve të tyre (gjë që reflektohet në ngritjen e llahtarshme të çmimeve), E(d)rama, i fut edhe një podcast, e i jep karar këtij muhabeti.

Tani, i nderuar kryeministër, duke qenë se nuk po le gjë pa bërë, pasuri pa shfrytëzuar e profesion pa marrë, a ka mundësi të na lesh ndonjë gjë ne fukarenjve?

Faleminderit dhe respekte  nga një ‘ish-podcaiste’./ Pamfleti

edi rama podcast

Lini një Përgjigje