Së shpejti, me urdhër të brendshëm të kryeministrisë, Drejtoria e Përgjithshme e Pronës Publike do transferohet te Ministria e Infrastrukturë-Energjisë; po kështu edhe pronat e sekuestruara që si strukturë janë te Ministria e Brendshme, do shiten ose jepen me qira nga ministria e Belindës dhe me urdhër e çmime ankandi të caktuara prej saj...
Belinda Balluku, përveçse është numri 2 i qeverisë dhe zëri absolut i besuar e konfidencial i Bablokut, është dhe ministrja që ka në dorë afro 40% të administratës, ekonomisë e buxhetit të shtetit, në një super ministri që u zgjerua pas emërimit të saj.
Por Belindës nuk i ka mjaftuar edhe postin e zv/kryeministres, ku ndikon vendimet e qeverisë për ndarjen e llokmave; 21 drejtori qendrore dhe 17 agjenci e kompani shtetërore si Albcontrol, Albpetrol, KESH, OSHEE, OST, Ujësjellësit, Drejtoria e Targa-Patentave, Rrugët, Portet Detare, Trojet, Burimet Minerare, Naftën, Transportet, Telekomunikacioni, Landfillet etj.
Sipas informacionit nga ministria e Financave, me bekimin e Bablokut dhe me fuqinë si zv/kryeministre, Belinda ka nisur procesin qeveritar, për të marrë nën kontroll edhe administrimin e pasurive shtetërore, që prej 30 vitesh janë nën administrimin e Ministrisë së Ekonomi-Financave.
Por babëzia, interesat dhe planet e Belindës janë shtuar si rrjet pazaresh kriminale, prandaj me urdhër të brendshëm, që e ka bërë gati Belinda, administrimi i pasurive shtetërore do t’i hiqet Ministrisë së Financa- Ekonomisë dhe do t’i kalohet Ministrisë së Energji-Infrastrukturës.
Pra, Drejtoria e Përgjithshme e Pronës Publike, që aktualisht drejtohet nga Ergys Misha, krye-sekseri që bashkë me ish-ministret e Financave Anila Denaj e Delina Ibrahimaj, kanë shitur e kanë dhënë me qira qindra pasuri për “5 lekë”, duke mashtruar me amortizimin, produktivitetin e ulët, mungesën e ofertave dhe çmimet tregut.
Aktualisht, në Ministrinë e Financave është dërguar një draft i propozuar nga kryeministri dhe i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaçi, për të nisur procedurat e transferimit të Drejtorisë së Pronave Publike në Ministrinë e Energji- Infrastrukturës.
Me marrjen e kësaj drejtorie në vartësi, Belinda Balluku merr në dorë kompetencën e nxjerrjes për privatizim, shitje e dhënie qirave të thjeshta, koncesionare enfiteoze dhe me “1 Euro”, të pronave shtetërore që mendon ajo si dhe me vlerë ankandi fillestar që e cakton ajo.
Përveç kësaj kompetence, ministria e Belindës do marrë në dorë dhe shitjen e pasurive te sekuestruara e konfiskuara, që aktualisht i ka në administrim Ministria e Brendshme me agjencinë e saj të veçantë, por shitjen e kryente nëpërmjet Ministrisë së Financave./Pamfleti
Lini një Përgjigje