TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Maj 2026, 17:28

E-Albania 3 ditë jashtë funksionit, Bashkia e Tiranës zgjat afatin për kreditë e buta, Ristani: Askush nuk do të penalizohet!

Shkruar nga Pamfleti
E-Albania 3 ditë jashtë funksionit, Bashkia e Tiranës zgjat
Anuela Ristani

Bashkia e Tiranës ka vendosur të zgjasë afatin e aplikimeve për kreditë e buta, pas njoftimit se portali “e-Albania” nuk do të funksionojë në disa ditë të muajit maj.

Vendimi u bë publik gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani. Ajo tha se afati i ri për dorëzimin e aplikimeve do të jetë data 22 maj, ndërsa më herët ishte parashikuar që procesi të mbyllej më 19 maj.

Sipas Ristanit, aplikimet për programin e kredive të buta për vitin 2026 kanë nisur më 20 prill dhe deri tani janë regjistruar rreth 2600 aplikime përmes portalit “e-Albania”.

Ajo sqaroi se shtyrja e afatit lidhet me ndërprerjen e funksionimit të portalit në datat 15 deri më 18 maj, periudhë gjatë së cilës qytetarët nuk do të kenë mundësi të aplikojnë online.

"Siç jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës ka nisur procesin e aplikimit për kredi të buta për vitin 2026. Procesi ka nisur më 20 prilli dhe është parashikuar të zgjasë deri më 19 maj. Aplikimet kryhen online përmes portalit “e-Albania”. Deri më sot që flasim, janë kryer 2600 aplkime. Por, sipas një njoftimi të portalit “e-Albania” dhe sipas problematikave që ka pasur, të gjitha ditët që do të jenë të pamundura për funksionim që janë njoftuar nga data 15-18 maj, do të zëvendësohen dhe afati i ri për momentin është data 22 maj”, deklaroi Ristani. 

Ristani deklaroi se Bashkia do të marrë masa edhe për zgjatje të tjera të mundshme të afatit, nëse problemet teknike vijojnë, me qëllim që askush të mos mbetet jashtë programit për shkak të pamundësisë për të aplikuar.

"Por nëse do të ketë nevoja të tjera për shtyrje të afatit do të adresohen. Kjo është për të thënë që asnjë qytetar që do përpiqet të bëhet pjesë e këtij programi nuk do të pengohet nga këto probleme teknike dhe do të kompensohen me kohën e përshtatshme për çdo ditë që E Albania nuk do të funksionojë”, theksoi Ristani

Sipas saj, çdo ditë që platforma nuk do të jetë funksionale do të kompensohet me kohë shtesë për qytetarët që duan të bëhen pjesë e skemës së kredive të buta.

anuela ristani bashkia kredite e buta

Lini një Përgjigje