Nga fjala në Knesset për mbrojtjen e hebrenjve te promovimi i një artisti të refuzuar për deklarata antisemitike, kryeministri ndjek dy linja të kundërta brenda pak muajsh
Kryeministri Edi Rama publikoi të enjten një video në Facebook ku njoftoi koncertin e Kanye West në Tiranë më 11 korrik. Njoftimi ishte i thatë, pa shpjegime. Por konteksti nuk është i tillë. West është refuzuar në disa vende për deklarata antisemitike dhe përmbajtje që ka nxitur reagime institucionale në Europë dhe Australi.
Zyra e Kryeministrit deklaroi për BIRN se koncerti nuk financohet nga shteti, ndërsa Ministria e Kulturës pranoi se institucionet do të koordinojnë për “lehtësimin” e tij dhe e lidhi aktivitetin me përfitime ekonomike dhe turistike. Në të njëjtën kohë, aktivistja Sidorela Vatnikaj e cilësoi koncertin si legjitimim të një figure që ka lavdëruar nazizmin.
Ky është fakti i parë: një artist i ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi për arsye të lidhura me antisemitizmin, promovohet publikisht nga kryeministri i Shqipërisë.
Fakti i dytë qëndron në janar. Edi Rama ishte në Jerusalem dhe mbajti një qëndrim të fortë kundër antisemitizmit. Në deklaratën e përbashkët me Benjamin Netanyahu, ai theksoi sigurinë dhe dinjitetin për hebrenjtë në Shqipëri.
“Edhe pse popullsia shqiptare me shumicë myslimane u bashkua me vuajtjen e popullit palestinez, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtje kundër Izraelit. Kjo përbën kontrast të theksuar, për atë që ka ndodhur në vende të tjera të Europës. Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit dhe islamofobisë”, tha Rama.
Në fjalën në Knesset, Rama foli për legjislacionin kundër antisemitizmit, për integrimin e edukimit mbi Holokaustin dhe për traditën shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve.
Ai përmendi dokumente historike si raporti i Leo Eton drejtuar Kongresit amerikan në vitet 1930, që e përshkruan Shqipërinë si vend strehimi për hebrenjtë. Ai përmendi edhe njohjen ligjore të Shabatit si e drejtë në Shqipërinë e para luftës.
“Prandaj Shqipëria ishte ndër vendet e para në Europë që miratoi legjislacion të ri kundër antisemitizmit, prandaj kemi integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat tona shkollore, dhe prandaj po ndërtojmë në këtë moment, në zemër të Europës, dy hapësira të veçanta kulturore të frymëzuara nga forca tërheqëse e shembujve ndriçues të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetë hebreje”, shprehej ai.
Pra, brenda të njëjtit vit, kryeministri ndërton dy narrativa publike të papajtueshme.
Në Jerusalem, ai kërkon kredenciale morale dhe politike si lider që lufton antisemitizmin. Në Tiranë, ai promovon një figurë që është bërë simbol i debatit për antisemitizmin në kulturën pop.
Kjo nuk është çështje shijesh artistike. Është çështje qëndrimi publik. Sepse promovimi nuk është neutral. Kur kryeministri publikon një video me datë dhe emër, ai i jep peshë institucionale një eventi, pavarësisht se kush e financon.
Argumenti i Ministrisë së Kulturës për turizmin dhe ekonominë nuk e zgjidh kontradiktën. Ai vetëm e zhvendos atë. Sepse nëse kriteri është ekonomik, atëherë bie çdo standard tjetër që Rama artikuloi në Knesset për antisemitizmin dhe kujtesën historike.
Në këtë pikë lind pyetja politike: për kë ishte vizita në Izrael?
Deklaratat në Knesset dhe takimi me Netanyahu janë të dokumentuara. Po aq i dokumentuar është edhe refuzimi i Kanye West në disa shtete për shkak të deklaratave të tij. Vendosja e këtyre dy fakteve në të njëjtën vijë kohore prodhon një përfundim të thjeshtë: qëndrimi ndryshon sipas audiencës.
Në Izrael, Rama flet për hebrenjtë dhe historinë. Në Shqipëri, ai flet për evente dhe klikime.
Kjo është dyfytyrësia që del nga vetë veprimet e tij, jo nga interpretimi. Sepse nuk ka asnjë dokument apo deklaratë që ta lidhë promovimin e koncertit me një distancim nga deklaratat e artistit. Përkundrazi, ka vetëm promovim dhe heshtje.
Në fund, nuk është çështje nëse koncerti do të mbahet apo jo. Është çështje nëse kryeministri mban të njëjtin standard në Tiranë që artikulon në Jerusalem.
Deri tani, faktet tregojnë të kundërtën. /Pamfleti
Jo vetem qe nuk ka dy fytyra por eshte i pafytyre fare ky kryeministri une flirtiez me nazizmin.