
I ftuari i mbrëmjes së sotme në podkastin e ‘Pamfletit” në YouTube është Luçiano Boçi, drejtuesi politik i PD në Shkodër dhe fitues në zgjedhjet e 11 majit. Ai u pyet në “Të Pashoq” mbi humbjen e PD. Edhe Boçi i qëndroi linjës se pati një ‘masakër zgjedhore’.
– Je i mërzitur për këtë humbje të madhe?
E kam thënë dhe më parë se nuk lidhet me rezultatin. Lidhet me atë që ka ndodhur. Lidhet me votën, sepse vota nuk është një moment, por është histori dhe është e ardhmja. Është esenca e sistemit dhe ekzistencës së partive politike. Kur vota asgjësohet, mërzitja nuk ka të bëjë me rezultatin, por me këtë element. Nuk bëhet fjalë që kemi bërë një proces të rregullt dhe jemi të mërzitur se nuk bëmë këtë apo atë.
– Ju ia faturoni 100 për qind deformimit?
Këto shifra nuk kanë vend.
– Po nga vetja, e ktheni gishtin?
Ka vend për analizë dhe përmirësim, madje edhe kur fiton. Gjithmonë ka vend për të përmirësuar. Por ne jemi në një moment vazhdimësie të asaj lufte që thashë më parë – se thelbi i sistemit dhe ndryshimeve epokale është vota. Në 1946, Hoxha me votë sancionoi pushtetin. Edhe në 1990 ndryshimi epokal erdhi përmes votës. Gjithçka lidhet me votën. Duam apo nuk duam, qoftë edhe me një përqindje, ne jemi në asgjësimin e votës. Gjithçka tjetër do të jetë analizë partie, që është serioze si para vetes ashtu edhe para publikut. Do ketë analiza. Por nuk është momenti.
– Ka shumë prej shqiptarëve që thonë...
Opinionistët nuk janë gjithë shqiptarët. Kur themi “shqiptarët”, flasim për qytetarin e thjeshtë.
– Edhe ata shqiptarë janë.
Në shoqërinë shqiptare është krijuar një fashë që gëzon atributet e shpërndarjes së opinioneve, por që është në shërbim të mazhorancës.
– Përtej kësaj, ka dhe nga ata që shprehen: “Nëse nuk do ishte rikthyer Berisha, PD do ta kishte mundur ose minimalisht do ishte kokë më kokë me PS.” Ju i besoni kësaj?
Nuk flas me përqindje. Nuk është e vërtetë, sepse ka një arsye. Nëse do kishim një proces të drejtë, do të mund të flisnim për arsyet që e drejtojnë rezultatin. Por përderisa nuk ka pasur proces zgjedhor, nuk ka as fitues dhe as humbës. A është sot Rama fitues? Nëse nuk ka proces zgjedhor, ato janë të ngjashme me zgjedhjet që fitoheshin me 99 për qind, ku këndohej për partinë dhe kërcehej valle. Sot kanë ndryshuar përqindjet, por jo mënyrat e marrjes së votës. Në fushë ka vetëm një lojtar që kontrollon gjithçka – KQZ-në, procesin, institucionet, malavitën, jetën e çdo shqiptari. Kontrollon mediat, territorin, gjithçka është në shërbim të votës. Dhe ja ku jemi – ky është ai që ka vendosur.
-A nuk mendoni se jeni bërë pak të besdisur me të njëjtin refren duke mos i njohur zgjedhjet?
Nëse e vërteta përsëritet do të thotë se e vërteta duhet të përsëritet. Nëse unë dua të artikuloj të vërtetën, do të artikulohet gjithmonë. Vetëm kështu mund të shërojmë të keqen.
-Por PS ka marrë mandatin e 4?
Ai mund të shpallet edhe mbret, por sërish do të ketë njerëz që do të flasin për të vërtetën. Në PS u orientua vota drejt njerëzve anonimë, shikoni me kujdes, si shpjegohet që njerëz anonimë sot rezultojmë më të votuarit në rradhët e PS dhe kanë marrë mandate deputetësh.
-Por për të thënë këto të vërteta, po merrni në qafë PD?
Jo s’po marrim në qafë PD, por po mbartim ato vlera, po themi të vërtetat. PD është një parti që ka reflektuar gjithmonë edhe mbi të vërtetat që ka mbrojtur dhe ka thënë. Nëse unë jam i gabuar që them të vërtetën, atëherë nuk po e them unë këtë të vërtetë, çfarë do të bëjë e vërteta, do varroset? Ne po nxjerrim faktet, këto fakte tregojnë të vërtetën.
-Pse nuk ndryshoni rrugën?
Si ta ndryshojmë rrugën të bëhemi si Rama? Nëse ne kemi një sistem që nuk pranon të ketë triumf të vlerave dhe ne nuk po e arrijmë, atëherë pse nuk morën vota për të qeverisur partitë e ashtëquajtura të reja. Në Shqipëri përdoren metoda ekstra-ligjore dhe pastaj ne themi e ka fajin sistemi. Të themi ne që do bëjmë një reformë të re zgjedhore, kur ai vjedh çdo reformë zgjedhore.
Lini një Përgjigje