Nuk e kemi luksin të kemi një ndarje. Nëse më thua se çfarë duhet të bëjë Tirana, më mirë sesa të japë këshilla publike se si duhet të trajtojë “x” apo “y” gjë, duhet të bëjmë detyrat tona...
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ka dërguar një tjetër mesazh të fortë kryeministrit Edi Rama sa i takon raporteve me Kosovën. Edhe pse të enjten u miratua një rezolutë për sulmin në Banjskë, Rama e përdori fjalimin për të goditur Kurtin. Po ashtu të enjten nuk e priti në stadium.
I ftuar në një emision, Bushati u shpreh se Shqipëria e Kosova nuk e kanë luksin të jenë larg njëra-tjetrës, por duhet të qëndrojnë bashkë. Sipas tij, Shqipëria duhet të angazhohet fuqishëm për të mirën e Prishtinës. Ai “siluroi” Ramën kur tha se Kosova nuk ka nevojë për këshilla se si duhet të veprojë, por Shqipëria duhet të mbështesë atë në arenën ndërkombëtare dhe në përballjen me Serbinë.
“Ne duhet të kemi një koordinim kapilar mes nesh në radhë të parë, për çështje që kanë lidhje me interesin kombëtar. Ne mund të kemi politika të ndryshme sa i takon ekonomisë, sipërmarrjes, mund të shohim konflikte të botës me lente të ndryshme, por kur vjen puna te interesi kombëtar duhet të jemi bashkë. Për mënyrën si duhet të përballojmë Serbinë. Nuk e kemi luksin të kemi një ndarje. Nëse më thua se çfarë duhet të bëjë Tirana, më mirë sesa të japë këshilla publike se si Kosova duhet të trajtojë “x” apo “y” gjë, duhet të bëjmë detyrat tona. Kemi bërë një iniciativë për Gjykatën Speciale, sot duhet të themi për atë iniciativë ku jemi. A ka rezolutë në KiE? A ka ndryshim te kancelaritë kombëtare? Po kështu është shumë mirë, si Këshilli i Sigurimit i nisur në 2007 dhe shumë mirë që qeveritë marrin stavetën nga njëra tjetra. Në politikën e jashtme është vështirë të masësh sukseset, por dhe në këtë pikë 2 vite pas uljes në Këshillin e Sigurisë, në raport me Kosovën çfarë kemi bërë? Kosova mendoj se nuk ka një derë më të sigurt, presidenti, kryeministri, partitë, sesa te Tirana”, tha Bushati.
Nga ana tjetër ai tregoi dhe arsyen e rritje së tensioneve mes dy qeverive. Sipas tij, shkak është ideja e ndarjes së territorit, duke goditur sërish Ramën. Ishte ky i fundit bashkë me Hashim Thaçin që tentuan ndryshimin e kufijve dhe sipas Bushatit, kjo gjë ka rritur përplasjet.
“Për fat të keq kemi një mungesë kohezioni të faktorit shqiptar në rajon dhe kjo vjen për disa arsye. Që nga fakti që në 2016 filluan të dalin mbi tavolinë teza që i kishte zënë pluhuri i historisë dhe po ashtu që dilnin mbi arkitekturat për të cilat SHBA e BE kanë investuar shumë. Siç janë barazia e shteteve sovrane dhe mos ndryshimi kufijve. Në momentin që dolën në skenë tema sensitive që kanë lidhje me territoret dhe jo me individët, që kanë lidhje me liderët dhe jo me qeveritë apo me shoqëritë. Kjo shkaktoi një frgamentim të panevojshëm, të dëmshëm të faktori shqiptar në rajon”, tha ai më tej.
Pas incidenteve në Veri, ku krerët e komunave u futën me forcë në zyra, ka pasur një ndarje totale mes Ramës dhe Kurtit. Kryeministri shqiptar doli kundër ho0mologut të Kosovë dhe anuloi mbledhjen e qeverive. Më pas ndërmori një tur takimesh në rajon dhe Kurti refuzoi ta takonte. Për sulmin në Banjskë Rama doli me një teori të re që acaroi situatën, duke kërkuar marrjen e veriut nga KFOR. Të hënën Kurti do të jetë në Tiranë në kuadër të Samitit të Berlinit dhe mbetet të shohim nëse do ketë një takim mes dy kryeministrave.
Lini një Përgjigje