TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Tetor 2023, 14:20

Rritja e tarifave për studentët e Mjekësisë që duan të ikin jashtë, Vokshi: Ligj diskriminues, do ta ankimojmë në Kushtetuese

Shkruar nga Pamfleti

Rritja e tarifave për studentët e Mjekësisë që duan

Deputetja e Rithemelimit, Albana Vokshi ka komentuar ligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat ajo tha se qeveria e fryu koston vjetore të Mjekësisë, si një mënyrë për të bindur studentët që të lënë peng diplomën për 5 vite punë në atdhe.

Vokshi është shprehur se vitin 2019 Universiteti i Mjekësisë e ka përllogaritur koston e studimit në programin e Mjekësisë së përgjithshme me vlerën 236.468 lekë/vit, ndërsa në relacionin e përgatitur në Parlamentin e Shqipërisë në lidhje me ligjin që kufizon studentët e Mjekësisë në tërheqjen e diplomës thuhet se “Sipas informacionit të përcjellë nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, kostoja e studimit për programin e integruar të studimit në “Mjekësi e Përgjithshme” është 678.994 lekë/vit”.

Ajo tha se qeveria ka trefishuar koston e studimit duke përdorur Universitetin e Mjekësisë. Sipas saj, Bordi i Universitetit nuk ra pre e presioneve dhe e vlerësoi koston vjetore shumë më pak.

Deputetja tregoi gjithashtu se ligji është antikushtetues dhe se do e ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Si e bëri këtë, duke përdorur Universitetin e mjekësisë për kosto shumë herë më të larta, se ato realet, duke u munduar që siç bën gjithnjë të vinte studentët përballë qytetarëve.

 Një ligj antikushtetues, diskriminues, jo efektiv, i padrejtë u miratua me nxitim, në mes të natës, duke refuzuar të dëgjonin zërin e studentëve.

Një ligj, me anë të të cilit Edi Rama synon të mbulojë dështimin e premtimit të bujshëm të shëndetësisë falas, dështimin e politikave në shëndetësi, dështimin e koncesioneve që kanë shkatërruar çdo shtyllë të shëndetësisë.

Një ligj që dëmton universitetin publik e që orienton studentët drejt privatit.

Do kërkojmë në dëgjesë ministren e Arsimit dhe Shëndetësisë për implementimin e ligjit. PD do e ankimojë ligjin edhe në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e saj.

Kujtojmë se në seancën e fundit plenare, Kuvendi miratoi me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë.

Sipas ligjit, studentët aplikantët në Mjekësi që futen këtë vit në sistem, janë të detyruar të firmosin një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 5 vjeçare pas diplomimit. Ndërsa ata që vijojnë studimet nga viti i dytë deri në të gjashtin, kanë mundësi të firmosin marrëveshjen që i detyron të punojnë 2 ose 3 vite në Shqipëri. Në të kundërt do të paguajnë tarifë të plotë studimi.

vokshi tarifa studentet

Lini një Përgjigje