Pas injorimit që i bëri kryeministri shqiptar, Kurti sot i ka dërguar dy mesazhe të tjera të forta po me në fokus përbashkimin...
Ndeshja e djeshme mes Shqipërisë dhe Çekisë tregoi edhe një herë distancën e largët mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Ky i fundit erdhi për të mbështetur kombëtaren, i shoqërur nga djali i Adem Jasharit. Por Rama nuk e takoi fare.
Kurti ishte në tribunën e katit të dytë, teksa Rama ishte në katin e parë, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali. Të dy duhej të shin padyshim bashkë për të treguar se jemi një komb. Por teksa Rama nuk e takoi mikun e ardhur nga Kosova, Albin Kurti ka dhënë sot dy mesazhe shumë të forta. Me prezencën në stadium ai tentoi të tregojë se ne jemi një komb dhe Kosova është krah Shqipërisë. Duke i treguar Ramës se ai po bën të kundërtën.
Por pas injorimit që i bëri kryeministri shqiptar, Kurti sot i ka dërguar dy mesazhe të tjera të forta po me në fokus përbashkimin. Fillimisht Kurti kujtoi datëlindjet e Migjenit dhe të Dritëro Agollit. Rama nuk i përmendi fare, por Kurti u kujtua për dy legjendat e letërsisë shqiptare dhe dërgoi mesazhe përmes veprave që ata kanë shkruar.
“E kanë quajtur "uragan i ndërprerë" dhe "poet i mjerimit", për vrullin dhe thellësinë e poezive dhe tregimeve të tij, në të cilat Migjeni ka fiksuar me tone të forta kritike gjendjen sociale në Shqipërinë e kohës kur jetoi. Veprat "Mollë e ndalueme", "A don qymyr zotni", "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Të birt' e shekullit të ri", sikur pothuajse çdo tekst a skicë e Migjenit, tashmë janë kthyer në tekste klasike të letërsisë shqipe.
Kur Migjeni vdiq, Dritëro Agolli ishte vetëm 7 vjeçar dhe ndryshe prej tij, ai e pati fatin të jetonte gjatë, deri në moshën 85 vjeçare. Një jetë shumë e dendur për nga aktiviteti publik dhe veçanërisht e përshkuar nga një vepër artistike e larmishme nga pothuajse të gjitha zhanret e letërsisë.
Romanet "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" si dhe "Arka e djallit", janë shtyllat më të larta të prozës së Agollit, dy vepra të tejkoshme...”, shprehet Kurti.
Por një orë më pas, Kurti bëri një tjetër postim dhe këtë herë me mesazh më të fortë. Ai ka treguar arritjet mes Kosovës dhe Shqipërisë në dy vite e gjysmë. Sipas tij, jemi dy republika, por një komb. Mesazh shumë i fortë i tij.
“Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë. Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit. Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”, ka thënë ai duke e mbyllur me fjalët: “Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje