Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç këtë të enjte gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian që po zhvillohet në Kishinau të Moldavisë.
Lajmin e ka dhënë vetë kreu i shtetit serb, i cili ka shpërndarë në rrjetet sociale disa foto.
Vuçiç është takuar edhe me udhëheqës të tjerë shtetëror të Ballkanit, si presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, kryeministrin e RMV-së, Dimitar Kovaçevski dhe anëtaren serbe të kryesisë së Bosnje Hercegovinës, Željka Cvijanović.
Në fokus të diskutimeve të tyre ka qenë situata në veri të Kosovës.
“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që bashkërisht të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi. Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë, në të mirë të të gjithëve”, shkruan Vuçiç.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më herët ka deklaruar se Serbia i ka plotësuar të gjitha detyrimet e Marrëveshjes së Brukselit, por Prishtina zyrtare asnjë prej tyre, përfshirë dhe kushtin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lideri serb ka akuzuar kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, se që nga koha që ai ka ardhur në pushtet, janë kryer dhjetëra sulme ndaj serbëve në veri, të motivuara etnikisht, të cilat nuk kishin ndodhur në të tilla përmasa më herët.
“Vetëm këtë vit, janë kryer 5 sulme me armë ndaj civilëve të nacionalitetit serb. Serbët vetëm duan siguri për veten dhe familjet e tyre”, u shpreh Vuçiç.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje