
Pas disfatës në zgjedhjet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të komanduar të PD dhe nga ai i kryetarit të grupit.
PD-zyrtare mori rezultat shumë të dobët në këto zgjedhje. Ndonëse Alibeaj kandidoi në shumë pak bashki me kandidatë për kryetarë, mbështetja e demokratëve ishte e pakët edhe në nivel këshillash. Për këtë arsye Alibeaj ka vendosur të mos rrijë më si kryetar grupi apo kryetar i komanduar. Ai tha se do ja paraqesë kërkesën e dorëheqjes organeve drejtuese të partisë, teksa propozoi se PD duhet të udhëhiqet nga një organ kolegjial derisa të zgjidhet kryetari i ri.
"Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.
Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.
Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.
Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi.
Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen", tha Alibeaj.
Më tej ai tha se zgjedhjet padyshim që patën probleme, por PD duhet ta shohë problemin te vetja. Alibeaj i ka dhënë një goditje edhe Berishës, duke e bërë të qartë se me të në krye, demokratët nuk kanë për të ardhur kurrë në pushtet.
“Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye, demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja. Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës.
Me këtë rast dua t’u shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time të gjithë atyre demokratëve që e vendosën fatin e partisë, të familjes sonë politike, para llogarive dhe pazareve të ngushta e mediokre. Në kohë të vështira duhen njerëz me karakter të fortë. Këtë ju e keni dëshmuar.
Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja”, tha ai.
Alibeaj bëri me dije se do të vijojë të mbajë postin e nënkryetarit të PD dhe do të jetë deputet, ndërkohë që të premten në orën 12.00 do të mblidhet Kryesia e PD që do të njihet me dorëheqjen dhe aty do vendoset për hapat që do të ndiqen.
Prej më shumë se një vit kam qenë drejtues i Partisë Demokratike. Në kohën më të vështirë të saj.
Kur është vënë në pikëpyetje mbijetesa e partisë që solli pluralizmin në Shqipëri. Mbijetesa e partisë së të djathtëve shqiptarë. Mbijetesa e partisë perëndimore dhe euroatlantike.
Shifrat e proporcionalit tregojnë që Partia Demokratike arriti ta kalojë këtë sfidë, arriti të mbijetojë dhe tani mund të shohë drejt së ardhmes.
Zgjedhjet e 14 Majit sollën monizëm pushteti – Rama i mbajti thuajse të gjitha bashkitë që katër vjet më parë i kishte marrë pa kundërshtarë.
Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye, demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja. Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës.
Me këtë rast dua t’u shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time të gjithë atyre demokratëve që e vendosën fatin e partisë, të familjes sonë politike, para llogarive dhe pazareve të ngushta e mediokre. Në kohë të vështira duhen njerëz me karakter të fortë. Këtë ju e keni dëshmuar.
Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja.
Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet.
Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.
Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.
Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.
Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi.
Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen.
Ka qenë një vendim i Kryesisë që vendosi që pozicionin drejtues, ta mbaja deri pas zgjedhjeve vendore. Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem nga drejtimi dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time dhe përgjegjësinë ndaj demokratëve, si nënkryetar dhe pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Këtë vit që e kam drejtuar partinë kemi patur disa arritje për të cilat jam krenar. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të zhbëhet. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë drejt Lindjes. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë në rrugën qorre të antiamerikanizmit.
Gjithashtu, ne kemi mësuar të flasim lirisht. Ne kemi mësuar të themi të vërtetën. Ne kemi kuptuar që PD duhet të jetë e djathtë, duhet të jetë demokratike, duhet të jetë euroatlantike.
Sepse e tillë lindi dhe ky është misioni ynë.
Kam njoftuar mbledhjen e Kryesisë të premten në orën 12.00
Lini një Përgjigje