TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Maj 2023, 16:46

Dështimi më 14 maj, Korreshi: Fajin ta shohim te vetja, nuk kemi përcjellë alternativë bindëse për qytetarët

Shkruar nga Pamfleti
Dështimi më 14 maj, Korreshi: Fajin ta shohim te vetja, nuk kemi
Saimir Korreshi

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi ka fajësuar situatën e brendshme të opozitës për rezultatin e dobët në zgjedhjet e 14 majit.

Në një intervistë për Report Tv, Korreshi u shpreh se u zhgënjyen por duhet të kthejnë gishtin nga vetja sepse nuk përcollën alternativë bindëse për vendin.

“U zhgënjyem. Kësaj radhe nuk kishte garë. Faktori kryesor është opozita, problematika jonë që kemi. Në Mallakastër po të ishin 2 kandidatët do e kishin fituar. Edhe në Roskovec mund të kishim fituar se gara ishte e ngushtë. Kisha pritshmëri edhe për vendet ku kishim punuar si në Divjakë, por pavarësisht çfarë bëjnë njerëzit poshtë, ndikon situata e PD lart. Nuk kemi përcjellë alternativë bindëse për njerëzit. Nga 2021 e këtej kemi rënie në elektorat. Po të hysh në Lushnje, nuk ka asnjë demokrat prej 10 vitesh. Do i bëja ftesë Koçit, ju lutem na e shihni pak Lushnjen”, tha deputeti Korreshi.

Të njëjtin mendim kishte edhe deputeti i PS Petro Koçi, i cili deklaroi se u favorizuan nga situata në të cilën ndodhet opozita që e cilëson më dobët se në zgjedhjet e vitit 2021.

“Na ka favorizuar edhe situata në të cilën ndodhet opozita. Është më dobët se në vitin 2021. Në 2021 pavarësisht se kush e drejtonte, ishte e bashkuar. Këtë herë ishte e copëtuar dhe e demotivuar. Nuk e di nëse kishte elektorat që besonte”, deklaroi Petro Koçi.

Ndër të tjera, Koçi u shpreh se opozita duhet të gjejë forcën për të bërë analizë por supozon se kjo nuk i intereson dyshes Berisha-Meta dhe Alibeajt.

“Ka patur riorganizime të institucioneve shtetërore që e kanë prekur dhe Lushnjen por në fakt Lushnja është transformuar dhe vijon të transformohet. Ka qenë realitet më rural dhe tani është modernizuar. Vijojnë modernizimet dhe në qytet. Nga ajo që kemi parë bëhet fjalë për transformime me natyrë rrënjësore. Mendoj që opozita duhet të gjejë fuqinë për të bërë analizë të vërtetë. Nga ajo që e shoh, e shoh më objektiv dhe më realist e më të përgjegjshëm. Ata që drejtojnë nuk janë të interesuar për të bërë analizë, Berishën dhe Metën dhe Alibeaj. Nuk kemi një opozitë kredibile, duke përfaqësuar çiftin Berisha-Meta është e vështirë që një elektorat si Tirana ta administrosh ndaj arritëm rezultat të madh”, shtoi ai.

Deputeti Korreshi ka komentuar edhe situatën në Shkodër duke theksuar se demokratët nuk shiten. Sipas tij vetëm hallexhintë mund të shesin votën për një vend pune apo përkrahje sociale.

“Kanë ndikuar shumë problematikat e brendshme në Shkodër se janë hequr shumë kryetar të njësive që nuk na kanë mbështetur më 6 mars. Fajin duhet ta shohim te vetja se ka diçka që nuk shkon. Demokratët bio nuk shiten ashtu siç nuk shiten socialistët real. Vetëm hallexhinjtë shiten me këmbim të një vendi pune, përkrahje sociale dhe lekë cash kur nuk kanë ku e gjejnë kokrrën e krypës. Një demokrat real të merr lekë e s’të jep votën. Ne s’patëm kohë t’i përballeshim. Rama e fokusoi fushatën te situata jonë”, u shpreh Korreshi.

korreshi koci pd opozita zgjedhje

Lini një Përgjigje