
Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka folur lidhur me dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit.
Ai u shpreh se me dënimin e tij synohet të vritet artikulimi i së vërtetës.
Nënkryetari i Partisë Demokratike theksoi se në të njëjtën mënyrë me të cilën Partia Socialiste bënte denoncime apo kallëzime gjatë kohës që ishte në opozitë, ashtu po vepron edhe Partia Demokratike sot.
“Por PD nuk ka kërkuar që të këtë dënim me burg, për denoncuesin. PD ruajti dhe ruan të njëjtin model të denoncimit me fakte të aferave korruptive. Këtë e ka bërë edhe Ervini, në të njëjtën linjë. Denoncimet janë indicie, provash dhe faktesh, që i merr me pas Prokuroria”, tha Boçi për “A2 CNN”.
Deputeti demokrat hodhi akuza ndaj policisë që sipas tij, nuk është më organ i ligjit, por bashkë me organet e drejtësisë, janë vënë në shërbim të pushtetit. Ndër të tjera ai tha se pas Salianjit, e ka radhën çdo kush që guxon të kallëzojë vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën.
“Pas Salijanit e ka radhën ai që guxon të kallëzojë vëllain e kryeministrit. Çfarë krimi ka bërë Ervini? Kur s’ka vepër penale. Kjo është ajo që ka ndërtuar sot Edi Rama, një politikan i kriminalizuar”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të kthehej si drejtues politik qarku në Elbasan, aty ku mbetet vendi vakant për shkak të dënimit të Salianjit, Boçi theksoi se për të vjen gjithnjë detyra përpara dëshirës.
Lini një Përgjigje