Policia ka blinduar Kryeministrinë. Që sot ka filluar vendosja e dyerve metalike dhe janë vënë kamera me rezolucion të lartë...
Opozita do të dalë nesër në protestë kundër qeverisë, protestë që do të jetë ndryshe nga herët e tjera. Për herë të parë, opozita nuk do të ketë një lider që ta drejtojë. Sali Berisha është në arrest shtëpie dhe në një farë mënyre kjo protestë bëhet për të. Por çfarë do të ndodhë nesër?
Në vija të përgjithshme protesta do të jetë si ato që kemi parë deri më tani. Para Kryeministrisë do të ngrihet një podium dhe aty do të marrin fjalën deputetë, të rinj, përfaqësues nga shoqëria civile, etj. Pritet që në podium të hipin emra si Gazmet Bardhi, Flamur Noka, Luçiano Boçi, por edhe emra nga aleatët. Ndërkohë në fund pritet që të jetë Sali Berisha, i cili do të flasë online. Ai do u drejtohet mbështetësve nga banesa. Në test do të jetë Ilir Meta, pasi ka zëra se ai nuk do të jetë në protestë.
Ndërkohë policia ka blinduar Kryeministrinë. Që sot ka filluar vendosja e dyerve metalike dhe janë vënë kamera me rezolucion të lartë. Po ashtu dhe Garda do të jetë në gatishmëri. Interesant është fakti se Rama nuk do të jetë nesër në zyrë, sikundër ka ndodhur në çdo protestë. Teksa opozita do të protestojë, ai do të jetë në Turqi.
Në protestë pritet të ketë flakadanë, tymuese dhe po ashtu të hidhen sende ndaj Kryeministrisë, si vezë apo topa boje. Po ashtu do të shfaqen banderola me simbole e mesazhe të caktuara.
Lidhur me tubimin ka folur dhe Edi Paloka, i cili në një emision ka thënë se ka dhe nga ata që duan dhunë. Ai u shpreh se qëllimi është pjesëmarrja dhe opozita do të tregojë forcën e saj.
“Qëllimi ynë është pjesëmarrja e qytetarëve. Kjo për faktin se kemi mbi 2 vite që jemi në një situatë të papranueshme brenda në Partinë Demokratike dhe na duhet që nesër t’i kërkojmë shqiptarëve ta shprehin pakënaqësinë e tyre në protestë. Ka njerëz që kërkojnë më tepër se kaq. Kërkojnë rrëzim me dhunë të qeverisë. Këtë e thonë shumë njerëz. Disa thonë mos na nxirrni nëse nuk do ketë revoltë”, tha ai.
Më herët mediat pyetën edhe Flamur Nokën nëse do të ketë dhunë dhe ai nuk e përjashtoi duke thënë: “Protesta është protestë”.
Ndërkohë në mbyllje të tubimit, pritet që një pjesë e protestuesve të drejtohen te banesa e Berishës, e cila duket se është kthyer në simbol për demokratët. /Pamfleti
Lini një Përgjigje