TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shkurt 2024, 19:07

PS sfidon BE dhe u hap rrugën oligarkëve, kalon ligjin për betonizimin e zonave të mbrojtura; Majko skeptik për draftin

Shkruar nga Pamfleti

PS sfidon BE dhe u hap rrugën oligarkëve, kalon ligjin për

Kalimi i draftit është sfidë ndaj BE. Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ka shprehur shqetësimin për propozimet e qeverisë përmes një letre...

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar ligjin për zonat mbrojtura, pavarësisht kritikave të BE dhe rrezikut se mund të shfarosen dhe ato pak pasuri natyrore që kemi. Ligji kontrovers u hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura duke bërë që tani oligarkët të kenë dorë të lirë të ndërtojnë hotele e resorte.

Drafti kaloi mes debatesh te Veprimtaria Prodhuese duke bërë që tani të shkojë për miratim në seancë plenare. Deputetët bënë disa ndryshime duke u munduar të përcaktojnë se duhet një balancim mes ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe hapësirave natyrore.

Ministrja e mjedisit Mirela Kumbaro këmbënguli se propozimet e qeverisë janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian duke rritur njëkohësisht edhe aktivitetin ekonomik të këtyre zonave.

Propozimet e ministrisë dhe qeverisë janë në përputhje me direktivat Europiane. Duke përcaktuar qartë zonat ku mund të ndërhyhet me nevojën për zhvillim të komuniteteve, orientuar nga turizmi, agroturizmi, në zona që përveç ndërhyrjes miqësore me mjedisin mund të ofrohen struktura qe garantojnë cilësinë më të lartë të mikpritjes, duke shmangur turizmin masiv dhe abuzimin me territorin, këto na ndihmojnë të shkojmë drejt turizmit elitar por edhe promovojmë më mirë territoret në fjalë. Angazhohemi të punojmë për një ekuiliber të qartë mes natyrës dhe aktivitetit njerëzor dhe për të mbrojtur pasuritë tona”, tha Kumbaro.

Por nuk ishte i të njëjtit mendim Pandeli Majko, i cili ishte shumë skeptik. Sipas tij, duhen më shumë shpjegime nga ana e qeverisë lidhur me këtë draft.

Duhet të shprehen në mënyrë shteruese përfaqësuesit e strukturave shtetërore lidhur me këtë çështje, është propozim politikëbërës, kjo është një e drejtë ekskluzive e qeverisë dhe sigurisht nuk e përjashton të drejtën e deputetëve. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi ndërhyrjet që janë bërë në këtë ligj, duket sikur jemi në rolin e Ponc Pilatit, po bëjmë punën e dikujt që nuk donte të dilte të thoshte që ky është propozimi. Ata e kanë për detyrë që të kishin sjellë këto ndryshime në qeveri, të mos prisnin sa të shkonte situata deri aty sa të kishte ndërhyrje nga grup deputetësh”, tha ai.

Por kalimi i draftit është sfidë ndaj BE. Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka shprehur shqetësimin për propozimet e qeverisë përmes një letre të dërguar në adresë të kreut të komisionit parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi.

Sipas letrës së firmosur nga Gonzato, Bashkimi Europian pret nga Shqipëria – një vend në proces negocimi për anëtarësimin – që t'i përshtasë politikat e veta mbi mjedisin me orientimet dhe direktivat e legjislacionit europian.

Duke iu referuar propozimeve të qeverisë për lejimin e investimeve strategjike dhe aktiviteteve të tjera brenda Zonave të Mbrojtura, ambasadori i BE-së rikujton qëndrimin e progres-raportit të vitit 2023 për ligjin kontravers për investimet strategjike.

Legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura”, citohet raporti në letër, duke shtuar se “për më shumë qeveria propozon të lejojë ndërtimin e një numri veprash infrastrukturore mbi vaditjen (kullimin) dhe mbrojtjen nga përmbytja në zonat e mbrojtura”.

Në këtë kontekst, ambasadori i BE-së në Tiranë kërkon që komisioni të bëjë një ekzaminim të kujdesshëm të këtyre propozimeve dhe të rihapë procesin e konsultimit me aktorët e interesuar dhe organizatat mjedisore në vend.

…Duke pasur parasysh implikimet e rëndësishme të mundshme të propozimeve të bëra nga qeveria, unë besoj se një ekzaminim i kujdesshëm duhet garantuar përpara se komisioni të vazhdojë më tej, duke përfshirë kriteret për autorizimin e ndërtimeve dhe aktiviteteve në zonat e mbrojtura, si dhe masat mbrojtëse, p.sh. vlerësimet e ndikimit në mjedis,” sugjeron ambasadori Gonzato.

Si do betonizohen zonat e mbrojtura

Ligji është propozuar nga 12 deputetë, të cilët kërkojnë të zhbëjnë disa nene në ligjin aktual, i cili ndalon kategorikisht ndërtimet dhe aktivitetet në zonat e mbrojtura. Një nga nenet më skandalozë është neni 13: “Në nenin 20, bëhen shtesat si më poshtë: 1. Gërma "c" e pikës 3 ndryshon si më poshtë: "c) Përdorimin e tokës dhe kryerjen e aktiviteteve që zbatojnë parimet e zhvillimit të qendrueshëm me fokus zhvillimin ekonomik të zonës. 2. Pas shkronjës "dh" të pikës 3 shtohet shkronja ‘e’ me përmbajtje: e) lejimin në përputhje me parimin e efektivitetit dhe planit të menaxhimit të ndërhyrjeve të lejuara urbane, apo industriale brenda zonës duke ruajtur karakterin e zonës sipas parashikimeve të këtij ligji”.

Skandaloz është edhe neni 9 ku thuhet: "Territoret që shpallen zona të mbrojtura mjedisore, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, kanë për qëllim të përmbushin objektivat e përgjithshëm si më poshtë: të vlerësojë në përputhje me parimin e efektivitetit mundësinë për ndërhyrje brenda zonës, por pa u kufizuar në, zona urbane, rekreacioni, infrastrukturë rrugore, hekurudha, infrastrukturë energjetike, përfshirë impiantet për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, infrastrukturës së naftës dhe gazit”.

Propozuesit e ligjit justifikohen se këto ndryshime vijnë në momente të një pjekurie intelektuale të shoqërisë dhe të vendosjes së rregullave të qarta dhe të përshtatshme për të siguruar që vendi ofron një paketë turistike të larmishme, por edhe të qendrueshme dhe që komuniteteve lokale u ofrohet një mundësi e shkëlqyer zhvillimi. Madje sipas tyre, duke ‘kafshuar’ parqet e zonat e mbrojtura, krijohen vende pune dhe zhvillohen zonat përkatëse. /Pamfleti

Lini një Përgjigje