TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shkurt 2024, 16:38

Kushtetuesja dhe PS në koordinim? Zbardhet vendimi i gjykatës për emigrantët, 4 anëtarët që votuan kundër

Shkruar nga Pamfleti
Kushtetuesja dhe PS në koordinim? Zbardhet vendimi i gjykatës për
Rama-Meloni

Teksa paradite Bledi Çuçi njoftoi se këtë javë votohet pakti për emigrantët, Kushtetuesja ka zbardhur vendimin…

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për paktin Rama-Meloni për emigrantët. Gjykata e lanë në fuqi marrëveshjen, por mungonte vendimi  i zbardhur. Vendim që kishte bllokuar ratifikimin në Kuvend. 

Interesantja është se vendimi u zbardh pak orë pasi PS në mbledhje grupi njoftoi se pakti kalon këtë javë në seancë dhe madje Bledar Çuçi kishte dijeni që vendimi do të zbardhej.

Ndërkohë nga ana tjetër kanë dalë dhe emrat e 4 gjyqtarëve që dolën kundër paktit, ata janë: Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska dhe Elsa Toska.

Ashtu siç u bë me dije më herët, GJK arrin në konkluzionin se nuk ka shkelje të sovranitetit me këtë pakt dhe për këtë arsye 5 anëtarët të saj kanë vendosur miratimin e paktit.

Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon juridiksionin territorial të shtetit shqiptar në lidhje me Kushtetutën, KEDNJ-në dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm. Megjithatë, duke mbajtur në konsideratë veçantinë e përmbajtjes së Protokollit për Migracionin, që lejon që në një pjesë të territorit shqiptar, krahas juridiksionit shqiptar, të ushtrohet edhe juridiksioni i autoriteteve italiane ekskluzivisht për çështjet e azilit, Gjykata vlerëson se është e nevojshme të analizohet më poshtë edhe vlefshmëria e plotfuqive për lidhjen e tij”, thekson gjykata.

Argumentet e gjykatës

-Gjykata, lidhur me aspektin fizik të territorit, konstaton se Protokolli për Migracionin nuk ka parashikuar rregulla që passjellin efekte mbi tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë në favor të shtetit italian. Ai ka parashikuar kalimin në përdorim nga shteti shqiptar tek autoritetet shtetërore italiane të dy zonave, të cilat do të përdoren për të pritur dhe akomoduar migrantët që synojnë të hyjnë në Itali. Këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar dhe ato do të vazhdojnë të mbeten të tilla gjatë gjithë kohëzgjatjes së përcaktuar shprehimisht të Protokollit, si dhe pas përfundimit të zbatimit të tij. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se Protokolli për Migracionin nuk përcakton apo ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, pasi, në thelb, ai nuk ndryshon apo cakton kufij të saj, duke ruajtur në këtë mënyrë të paprekura të gjitha elementet e territorit në aspektin fizik.

-Ndërsa lidhur me aspektin juridiksional të territorit, Gjykata vëren se në tekstin e Protokollit për Migracionin nuk rezulton të ketë ndonjë parashikim sipas të cilit shteti shqiptar heq dorë shprehimisht nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin e tij. Protokolli për Migracionin ka parashikuar kalimin në përdorim të përkohshëm nga shteti shqiptar tek autoritetet shtetërore italiane të dy zonave, në të cilat ato do të ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve shëndetësore (neni 4), rendit dhe sigurisë brenda zonave, shërbimeve ushqimore dhe çdo shërbimi tjetër të nevojshëm (neni 6), si dhe procesit të rregullt ligjor për shqyrtimin e kërkesave për azil (neni 9). Ndërsa autoritetet shqiptare ushtrojnë juridiksionin e tyre në aspektet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor që nuk mund të plotësohen nga autoritetet italiane (neni 4), rendit dhe sigurisë së jashtme (neni 6), lehtësimit të procesit të ofrimit të këshillave dhe asistencës për azilkërkuesit, si dhe shërbimeve të nevojshme për transferimin e trupave në rastet e vdekjeve (neni 9). Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson të verifikojë nëse pasja e juridiksionit nga shteti italian në këto dy zona ka të bëjë me territorin e shtetit shqiptar në aspektin juridiksional të tij.

-Për sa më sipër, juridiksioni ekstraterritorial i shtetit italian mbi migrantët dhe azilkërkuesit, duke përfshirë mbrojtjen dhe garantimin jo vetëm të të drejtave që lidhen me azilin, por edhe të të drejtave themelore të këtyre personave, ushtrohet për sa kohë që autoritetet italiane kanë kontroll efektiv mbi ta, qëndrim i mbajtur edhe nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (shih dokumentin C/GC/36, datë 03.09.2019 të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për nenin 6 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike).

- Edhe GJEDNJ-ja, gjatë shqyrtimit të kërkesave të migrantëve dhe azilkërkuesve, ka pranuar vështirësitë e shteteve në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian në përballimin e fluksit në rritje të emigrantëve dhe azilkërkuesve, veçanërisht për fenomenin e migrimit nga deti, çka përfshin komplikime shtesë për ato shtete në kontrollin e kufijve në Evropën Jugore, por kjo, megjithatë, nuk mund të përjashtojë një shtet nga detyrimet e tij sipas KEDNJ-së (shih J.A. dhe të tjerë kundër Italisë, datë 30.03.2023, § 65; J.R. dhe të tjerë kundër Greqisë, datë 25.01.2018, § 137; Khlaifia dhe të tjerë kundër Italisë, datë 15.12.2016, § 184; Hirsi Jamaa dhe të tjerë kundër Italisë, datë 23.02.2012, § 122; M.S.S. kundër Belgjikës dhe Greqisë [DHM], datë 21.01.2011, § 223).

- Për sa më sipër, Gjykata thekson se ushtrimi i juridiksionit të shtetit italian është i përcaktuar për zbatimin e detyrimeve të atij shteti në lidhje me migracionin dhe azilin në kuadër të garantimit të të drejtave të migrantëve (përfshirë azilkërkuesit) që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, ku përfshihet edhe garantimi i të drejtave themelore gjatë këtyre procedurave, ndaj prezumohet se ofron garancitë e duhura për të drejtat e migrantëve. Për më tepër, Gjykata thekson se edhe Republika e Shqipërisë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të, ku përfshihen KEDNJ-ja dhe Konventa e Gjenevës, jo vetëm që ka detyrimet e veta pozitive, por njeh dhe mundëson përmbushjen e detyrimeve që kanë shtetet e tjera anëtare, në këtë rast Republika e Italisë.

-Për sa i takon juridiksionit të shtetit shqiptar në dy zonat ku gjen zbatim Protokolli për Migracionin, Gjykata vëren se neni 116 i Kushtetutës parashikon rendin juridik të normave, i cili në vetvete nuk përbën vetëm një radhitje të barasvlershme normash, por një sistem hierarkik, i cili përbëhet nga nivele të ndryshme vlefshmërie dhe në secilin prej këtyre niveleve qëndron një normë ose grup normash, duke përftuar kështu edhe fuqinë e caktuar juridike. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike (shih vendimet nr. 5, datë 05.02.2014; nr. 3, datë 20.02.2006 të Gjykatës Kushtetuese). Në lexim të kombinuar të neneve 116 dhe 122 të Kushtetutës, aktet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj bëhen pjesë e rendit të brendshëm juridik të saj dhe kanë epërsi ndaj ligjeve që nuk pajtohen me të. Në këtë kuptim, Protokolli për Migracionin, si marrëveshje ndërkombëtare, në rast ratifikimi të tij do të bëhet pjesë e sistemit normativ shqiptar dhe do të pozicionohet në hierarkinë e akteve normative nën Kushtetutën dhe mbi ligjet e zakonshme. Për shkak të pozicionit që zë Protokolli për Migracionin në hierarkinë e akteve në rendin juridik shqiptar, pavarësisht se kjo marrëveshje i mundëson shtetit italian të ushtrojë juridiksion mbi migrantët, përfshirë azilkërkuesit, parashikimet e saj nuk përjashtojnë juridiksionin e shtetit shqiptar në nivel kushtetues dhe konventor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

-Në vijim të sa më sipër, Gjykata thekson se Republika e Shqipërisë është, gjithashtu, edhe palë kontraktuese e KEDNJ-së, që, në kuptim të nenit 17 të Kushtetutës, për ato çështje që lidhen me kufizimet e të drejtave të njeriut barazohet në rang hierarkik me vetë Kushtetutën dhe ka epërsi ndaj marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare. Konkretisht, neni 17, pika 2, i Kushtetutës parashikon se kufizimet që vendosen për liritë dhe të drejtat e njeriut në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në KEDNJ. Kushtetuta, nëpërmjet referimit te Konventa, i ka dhënë këtij dokumenti vlerën e standardit kushtetues për sa i përket kufizimit të të drejtave të njeriut. Ligjvënësi nuk mund të vendosë kufizime që tejkalojnë ato të parashikuara nga KEDNJ-ja, por ai nuk pengohet që nëpërmjet legjislacionit të zgjerojë hapësirën e të drejtave dhe lirive dhe t’i japë një dimension më të madh realizimit të mbrojtjes së individit (shih vendimet nr. 9, datë 23.03.2010; nr. 24, datë 13.06.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Edhe sipas nenit 53 të KEDNJ-së, asnjë nga dispozitat e kësaj Konvente nuk duhet të interpretohet sikur kufizon ose cenon të drejtat e njeriut dhe liritë themelore që mund të sigurohen nga legjislacioni i çdo pale të lartë kontraktuese ose nga çdo marrëveshje tjetër në të cilën kjo palë e lartë kontraktuese është palë. Po në këtë kontekst, Gjykata ka theksuar se në lidhje me një të drejtë themelore, respektimi i detyrimeve ndërkombëtare nuk mundet asnjëherë të jetë shkak i një zvogëlimi të mbrojtjes së saj në krahasim me ato të parashikuara tashmë nga rendi i brendshëm, por mund dhe duhet, përkundrazi, të përbëjë instrument efikas të zgjerimit të vetë mbrojtjes (shih vendimet nr. 4, datë 15.02.2021; nr. 20, datë 01.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese).

-Gjykata vëren, po ashtu, se Republika e Shqipërisë është anëtare edhe e Konventës së Gjenevës. Kjo konventë, ashtu si Protokolli për Migracionin, përbën marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar me ligj, që renditet nën Kushtetutën, por mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.

-Për sa më lart, Gjykata çmon se në drejtim të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individëve zbatimi i Kushtetutës, si akti më i lartë dhe themeltar i sistemit tonë normativ nuk mund të vihet në diskutim. Republika e Shqipërisë, bazuar në nenin 5 të Kushtetutës, duke zbatuar të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të, ka detyrime pozitive për marrjen e të gjitha masave për të respektuar të drejtat e migrantëve, përfshirë azilkërkuesit, që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, përfshirë parimin e moskthimit (nonrefoulement).

 

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje