
Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron ish ministrin Ilir Beqaj nga drejtësia.
Me anë të një posti në rrjetin social “Facebook”, Basha duke ju referuar deklaratave të Ramës gjatë ditës së sotme lidhur me aferën e sterilizimit, deklaroi se kryeministri po bën përpjekje për të mbrojtur korrupsionin që nis nga zyra e tij.
Madje ai shkoi më tej duke thënë se deklaratat e kryeministrit, se s’ka asgjë korruptive me koncesionin e sterilizimit, janë një formë presioni ndaj drejtësisë.
Ndër të tjera Basha foli edhe sa i takon reformës zgjedhore, për të cilën tha se Rama nuk është aspak i interesuar, teksa e akuzoi atë se po bashkëpunon me Berishën për t’i marrë atij PD-ën.
“Sot Edi Rama u shfaq sërish për të mbrojtur korrupsionin që nis nga zyra e tij. Atë që ka bërë me Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Elvis Roshin e dhjetra të tjerë, sot e bëri me Ilir Beqajn. Edi Rama sot u mundua të shantazhojë drejtësinë duke marrë në mbrojtje aferën korruptive të sterilizimit, siç ka bërë edhe me inceneratorët. Një përpjekje e dëshpëruar për t’i bërë presion drejtësisë.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, është tashmë e ditur se Rama është një nga njerëzit më të interesuar që të mos ketë ndryshim të sistemit zgjedhor në Shqipëri, për të mbajtur fort në këmbë marrëveshjen e 2008-ës, që u mohon shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët që duan.
Edi Rama nuk e ka fshehur dhe nuk e fsheh se kë do në krye të opozitës, këtë e dëshmoi edhe sot. Por shqiptarët e kanë të qartë se teatri i Parlamentit është vetëm fasada e interesave të përbashkëta Rama-Berisha”, shkruan Basha.
Lini një Përgjigje