
Gjykata e Posaçme do të vendosë më 5 mars nëse do të dënohet apo jo me burg Fredi Beleri. Pas pretencës së dhënë nga SPAK, e cila kërkoi 2. 6 vite burg, sot ishin avokatët që paraqitën mbrojtjen. Ata kërkuan pafajësi për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës ose minimumin e dënimit që parashikon vepra penale.
Gjatë mbrojtjes avokati paraqiti argumente që sipas të cilave deklaroi se Prokuroria e Vlorës ka gabuar, dhe se nuk u është vënë në dispozicion se cila është pajisja që është përgjuar ai dhe nga kush i është vënë në dispozicion kjo pajisje për Arsen Ramës, i infiltruari i policisë. Në seancën e 5 marsit pritet të dëgjohet edhe vetë Fredi Beleri.
“Provuam që Prokuroria nuk na ka dhënë prova, për bashkëpunëtorin e policisë dhe Prokurorisë. Cituam dhe udhëzimin përkatës ku është paguar në mënyrë të paligjshme. Pasi është arrestuar Beleri, kanë filluar të rregullojnë të gjitha letrat. Proces i paligjshëm dhe i montuar, standard i dyfishtë. Nga data 8 maj deri në 14 maj janë siguruar tabulatet, por ai nuk ka qenë fare në Himarë. S’na kanë dhënë as tabulatet e telefonave të Arsenit. Kanë qëllim ta dënojnë sepse duan të mbajnë bashkinë e Himarës. 10 muaj burg është boll”, tha avokati i Belerit para gazetarëve.
Provat e SPAK
Në seancën e kaluar dy prokurorët e SPAK, Adnan Xholi dhe Dorina Bejko, lexuan konkluzionet në 60 faqe material duke i kërkuar GJKKO-së t'i shpallë fajtorë për korrupsion në zgjedhje Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin. Si provë SPAK thotë se janë pamjet filmike të takimeve të Fredi Belerit me bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe komunikimet me të përmes telefonit dhe bisedat në përgjime ambientale. Bëhet fjalë për blerjen e një vote për 5 mijë lekë, dhe 40 mijë për 8 vota,shumë që i ka dhënë Pandeli Kokaveshi Arsen Ramës.
Deri në këto momente telefoni i Fredi Belerit nuk është hapur pasi vetë ai nuk ka pranuar të japë kodin, por komunikimet janë zbërthyer nga telefoni i bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe vëllait të këtij të fundit që është takuar nga Fredi Beleri. Madje Beleri ka komunikuar me të dhe i kërkuar numrin e telefonit të Arsen Ramës për ta ndihmuar për të siguruar votat për bashkinë e Himarës. SPAK vinte në dispozicion dhe DVR-të e pamjeve filmike, përgjimet ambientale e telefonike që sipas tyre vërtetojnë veprën penale të shit-blerjes së votave për të cilat i kërkuan GJKKO-së ta shpallin fajtor Fredi Belerin e truprojen e tij, Kokaveshi.
Lini një Përgjigje