
Ish deputeti demokrat, Luçiano Boçi nga selia e PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama, se ishte ai që dha urdhrin për lirimin nga burgu të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Sipas Boçit, lirimi i Dakos u bë sepse ai respektoi ligjin e “Omerta-s”, duke mos folur kundër Ramës gjatë kohës që ishte në hetim.
Më tej Boçi shtoi se hetimi dhe akuzat ndaj Dakos ishin fiktive për shkak se nuk u akuzua për krimet e tij të rënda, por për shtesë kati dhe ‘shpërdorim detyre’.
“Dako nuk u lirua se e lejoi tejkalimi i procedurave, por sepse zbatoi ligjin e Omerta-s, të heshtjes, së Edi Ramës. Dako nuk u akuzua për krimet e tij të rënda që rëndonin mbi të si betonizimi i Durrësit dhe krimi monstruoz elektoral të mirëdokumentuar, por për shtesë kati dhe ‘shpërdorim detyre’.
Ai nuk u dërgua në shtëpi se nuk ka prova, por se ai e dha provën e besnikërisë ndaj partisë dhe Edit. Besnikëria, e cila bazohet mbi parimin: lejojeni drejtësinë e re tone të bëjë sikur po na godet, që nëpërmjet saj të godasim kundërshtarët politikë dhe të jemi në pushtet sa të duam vetë”, u shpreh Luçiano Boçi.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme liroi Dakon nën akuzë për shpërdorim detyre, pasi janë tejkaluar afatet e paraburgimit. Gjatë hetimeve, ai do të qëndrojë në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore 24 orë.
Lini një Përgjigje