Ditën e sotme do të diskutohet në Parlament projektbuxheti i vitit të ardhshëm, i cili për herë të parë kap një vlerë prej 7 miliardë Eurosh.
Seanca është planifikuar të nisë në orën 10:00 dhe në bazë të rendit të ditës, pritet të miratohen dhe disa projektligje të tjera:
-Projektligji për disa ndryshime në ligjin për akcizat
-Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për procedurat tatimore
-Projektligji për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare
-Projektligji për disa shtesa në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar
Janë parashikuar dhe diskutime për çështjet e mësipërme, por duke marrë parasysh deklaratën e Sali Berishës, gjasat që punimet e Parlamentit të zhvillohen në kushte normale janë të ulëta.
Ndërkohë tensionet kanë nisur në Kuvend, 1 orë para nisjes zyrtarisht të seancës maratonë për buxhetin 2024.
Prani shtuar e punonjësve të Gardës vihet re në Kuvend, të cilët kanë rrethuar Foltoren dhe nuk kanë lejuar Sali Berishën dhe Gazment Bardhin që ta zaptojnë.
“Sapo kemi nisur mosbindjen civile” tha Berisha duke hyrë live në Facebook.
Pas debateve dhe shtyrjeve me gardën, ai nuk i kurseu batutat me socialistin Toni Gogu.
“Pastor me çfarë do të mbrohesh me gardistë apo mësimet e Zotit, je larguar prej tyre”.
Kjo situatë ka krijuar edhe një moment tensioni, ku Bardhi dhe Ramadan Lika kanë shtyrë punonjësit e Gardës.
Rithemelimi dhe socialistët kanë mbërritur herët në Kuvend. Garda ka ushtruar kontrolle ndaj deputetëve të Berishës, pasi seancat e kaluara ata kanë futur në Kuvend lëndë piroteknike. Në Kuvend ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama.
Projektbuxheti për vitin 2024 u miratua në parim në Komisionin e Ekonomisë me vetëm 1 votë kundër, nga deputeti i PD, Edmond Spaho. 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike do të shkojnë për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike dhe çështje të tjera sociale. Prioritet ka arsimi, shëndetësia, turizmi, bujqësia, infrastuktura dhe energjia. Investimet publike do të marrin pjesën më të madhe të financimit, 128.5 miliardë Lekë.
Lini një Përgjigje