
Gardistët janë vendosur “gardh” tek dera e Kuvendit dhe nuk kanë lejuar deputetët e opozitës të futen në sallën e Parlamentit pa u kontrolluar fillimisht.
Deputetët e PD në momentin që i janë afruar derës së Kuvendit për t’u futur në sallë, janë përballur me një numër të madh gardistësh, të cilët i kanë ndaluar për t’i ushtruar kontroll të imtësishëm.
Me tonë të ashpra kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka debatuar me punonjësit e Gardës së Republikës, pak para nisjes së seancës plenare.
“S’ju vjen zor, e keni kthyer në shtet policor. Për ça ka i ke sjell këta? Për ça ushtroni kontroll? Kush jeni ju mo”, tha ai.
Deputetët socialistë po shkojnë më herët në Kuvend, ku do të mbahet seanca maratonë për buxhetin 2024, ndërsa Rithemelimi ka paralajmëruar sërish kaos dhe bllokimin e punimeve.
Ministri Taulant Balla, kreu i Grupit të PS, Bledi Çuçi dhe deputeti socialist Toni Gogu janë ndër të parët që janë futur në ambientet e Kuvendit, ndërsa seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00.
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se seanca plenare e ditës së hënë (20 nëntor), pritet të jetë e rrethuar nga forcat speciale me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Lini një Përgjigje