Kryeministri Edi Rama e ka justifikuar shpërndarjen e bonusit për pensionistët në pranverë para zgjedhjeve sepse ekonomia shqiptare është rritur.
Komentet Rama i bëri gjatë një deklarate për mediat, ku foli rreth vendimit të ekzekutivit për uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lek për kWh.
“Për çdo gjë që kam bërë, bëj dhe do bëj, njerëzit do thonë dhe nuk më intereson se çfarë thonë. Ajo që më intereson është se mbi 1 milionë konsumatorë abonentë të energjisë elektrike do të paguajnë një çmim të ulur të saj falë një suksesi kuptimplotë, në një rrugë nga humnera drejt majës së Shqipërisë 2030.
Thanë edhe që bonusi i pranverës për pensionistët është elektoral, unë vetë si qenie jam elektoral që kur dal nga shtëpia, prandaj kështu do thonë për çdo gjë që unë bëj. Por ajo që më intereson mua është që pensionistët do të marrin një bonus tjetër, sepse ekonomia po rritet dhe rritjen e duam ta kemi gjithëpërfshirëse.
Pra të gjithë të marrin pjesën e tyre nga kjo rritje. Ajo që mua më intereson është e vërteta. Bunuset e pensioneve janë aty për të qëndruar, si rezultat i projeksioneve dhe rritjes së ekonomisë. Ulja e energjisë është aty për të qëndruar”, tha Rama.
Lini një Përgjigje