TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Qershor 2026, 18:35

“Boll është boll, Rama jep dorëheqjen!”, thirrjet që dominojnë protestën para Kryeministrisë

Shkruar nga Pamfleti

“Boll është boll, Rama jep dorëheqjen!”, thirrjet

Mijëra qytetarë u mblodhën para Kryeministrisë në ditën e tetë të protestës, duke marshuar me pankarta dhe flamuj kuqezi në kërkim të ndryshimit politik dhe largimit të kryeministrit Edi Rama.

Sot shënohet dita e tetë e protestës së qytetarëve kundër klasës politike dhe qeverisë Rama. Mijëra protestues janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar thirrjet për ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

Të pajisur me pankarta dhe flamuj kuqezi, qytetarët marshuan fillimisht nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, ku më pas nisën fjalimet dhe mesazhet kundër qeverisë.

Gjatë tubimit, protestuesit artikuluan një sërë kërkesash, ku në qendër mbetet dorëheqja e kryeministrit. Në mesin e turmës u dëgjuan thirrje si “Shqipëri e re”, “Jep dorëheqje” dhe “Edi Rama, o tradhtar”, "Shqipëria nuk shitet", "Boll është boll". 

“Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, thuhet në sloganin ku qytetarët ftohen të marrin pjesë.

Pamjet nga protesta tregojnë një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve, ndërsa organizatorët deklarojnë se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim.

“Boll është boll, Rama jep dorëheqjen!”, thirrjet

Protestuesit deklaruan se lëvizja qytetare do të vijojë deri në largimin e qeverisë, duke e krahasuar situatën me heqjen e gardhit me tela në Zvërnec, ngjarje që shënoi fillimin e revoltës qytetare.

Sipas tyre, reagimi kundër projektit në Zvërnec u shndërrua në një kauzë më të gjerë, e cila tashmë ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ka gjetur mbështetje edhe te diaspora shqiptare në shumë vende të botës.

“Gardhi u hoq, të heqim edhe këta!”, ishte një nga mesazhet e protestës, ku qytetarët kërkuan vazhdimin e mobilizimit qytetar.

“Jemi sërish këtu për një qëllim. Gardhi u hoq, të heqim edhe këta! Koha që të kthejmë në Shqipëri fëmijët e larguar në emigrim. Boll është boll! Zoti kryeministër, kam një lajm për ty, diaspora këtë radhë nuk do të vijë për pushime por për protestë”, u shpreh një nga protestueset gjatë tubimit.

Lini një Përgjigje