Siç kuptohet nga lojërat me hapje dosjesh zinxhir e pa prova, sa për tymnajë publike e shantazh ndaj Arben Ahmetajt që të heshtë; arrijmë në konkluzionin, se në këtë çorbë që ka nisur e po vazhdon, SPAK po dirigjohet nga Babloku, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, për të realizuar betimin e tyre, që ta çojnë patjetër në gjyq dhe në burg edhe pa prova ish-ministrin...
Njoftimi zyrtar i SPAK për përfundimin hetimeve ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj, lidhur me dosjen e Fabrikës së Bukës-Tiranë, mund të quhet paaftësi, papërgjeshmëri, dështim, devijim e klientelizëm i porositur, për ta dënuar patjetër e sa më shpejt.
Së pari, këtë bindje ta krijon fakti, që SPAK e ka marrë nën hetim Arben Ahmetajn për landfillin e Tiranës, pas kërcënimit publik që i bëri kryeministri Edi Rama në muajin shkurt 2023; se ndaj tij do vepronte si prokuror e gjyqtar i egër, ndërsa më 14 korrik i hoqi imunitetin dhe iu dha masa “Arrest me burg” e në kërkim ndërkombëtar.
Mirëpo më 7 dhjetor 2023, SPAK njoftoi se ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim ish-ministrin Arben Ahmetaj, lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës e dëm ekonomik ndaj shtetit, në procedurat për privatizimin e Fabrikës së Bukës-Tiranë.
Është absurditet edhe ta mendosh, që me kërkesë të SPAK-ut, ish ministrit Ahmetaj iu hoq imuniteti dhe është me masën e arrestit në burg e në kërkim ndërkombëtar për landfillin e Tiranës, ndërsa vetë SPAK e çoi në gjykim për Fabrikën e Bukës.
Procedimin penal për landfillin, SPAK e bëri në muajin shkurt 2023, por megjithëse deklaroi, se ka kryer hetime të plota e të thelluara, nuk po e çon dosjen në gjykatë, paçka se kanë kaluar 10 muaj nga data e procedimit dhe 6 muaj nga heqja e imunitetit dhe masa “Arrest me burg”.
Ndërsa procedimin penal, për dosjen e Fabrikës së Bukës, SPAK e njoftoi më 7 tetor 2023, duke deklaruar se u krye hetim i plotë i çështjes; dhe tani pas 2 muajsh, më 7 dhjetor 2023 njoftoi se dosja është çuar për gjykim.
SPAK ‘duhet përshëndetur’, që ka filluar të kryejë hetime të shpejta, paçka se me përzgjedhje zyrtarësh të lartë të shpallur “armiq” nga Babloku, por duhet pyetur për këto qëndrime:
- Çfarë sikleti apo pengese ka, që nuk po çon në gjykatë dosjen e ish-ministrit Arben Ahmetaj për landfillin e Tiranës, të nisur si proces qysh në qershor 2022 e të hetuar plotësisht (sipas Altin Dumanit), ndërkohë që çon për gjykim një dosje tjetër, me hetim të nisur para 2 muajve?!
Siç duket, SPAK-ut i ka dalë blof skenari kundër Arben Ahmetajt, ngaqë në dosjen e landfillit të Tiranës, ish-ministri Ahmetaj ka 4 shkresa e vendime kundër, ndërsa kryeministri Edi Rama, sekretari Ëngjëll Agaçi e krye bashkiaku Erjon Veliaj, rezultojnë se kanë firmosur për ngritjen landfillit të Klodian Zotos e Mirel Mërtirit.
Edhe për privatizimin e Fabrikës së Bukës, ish-ministri Arben Ahmetaj ka paraqitur 53 prova shkresore zyrtare, që e nxjerrin të pastër e të pa implikuar, ashtu si te landfilli i Tiranës.
Mirëpo, siç kuptohet nga lojërat me hapje dosjesh zinxhir e pa prova, sa për tymnajë publike e shantazh ndaj Arben Ahmetajt që të heshtë; arrihet në konkluzion, se në këtë çorbë që ka nisur e po vazhdon SPAK, po dirigjohet nga Babloku, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, për të realizuar betimin e tyre, që ta çojnë patjetër në gjyq e në burg edhe pa prova./Pamfleti
Lini një Përgjigje