TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Shkurt 2025, 18:56

Bllokimi i fondeve nga Trump, futet në lojë BE: Ne nuk e tradhtojmë SPAK-un, kemi dhënë 50 mln euro për reformën në drejtësi

Shkruar nga Pamfleti
Bllokimi i fondeve nga Trump, futet në lojë BE: Ne nuk e
Dumani me ambasadorin e BE

Ky reagim është një mesazh për ‘mamuthët e politikës’, të cilët janë gëzuar nga bllokimi i fondeve nga SHBA...

Bashkimi Evropian duket se do të rrisë asistencën financiar dhe teknike për SPAK dhe organet e tjera të drejtësisë pas bllokimit të fondeve nga Donald Trump. Edhe pse “mbyllja e rubinetit” nga amerikanët u pa si një goditje e madhe për reformën në drejtësi, në fakt fondet më të mëdha i ka dhënë Bashkimi Europian.

Në një reagim mediatik, Zyra e BE në Tiranë shprehet se ata janë pararojë sa i takon mbështetjes së reformës në drejtësi dhe do vijojnë ta mbështesin. BE bën me dije se kanë dhënë 50 mln euro për ecurinë e kësaj reformë dhe ngritjen e organeve të reja, ku 8 milionë euro kanë shkuar vetëm për SPAK.

BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri. Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve. Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor”, thekson BE.

Më tej BE e bën të qartë se ata mbështesin pa kushte punën e SPAK dhe do vijojë ta ndihmojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro. SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë”, thuhet në reagimin e BE.

Duket se ky reagim është një mesazh për ‘mamuthët e politikës’, të cilët janë gëzuar nga bllokimi i fondeve nga SHBA. Por në fakt ashtu siç e kemi thënë, ka shumë organizma të tjera që ndihmojnë institucionet e drejtësisë dhe vështirë se kjo do të ndikojë te puna e tyre. /Pamfleti

Lini një Përgjigje